Përfaqësuesit e SBASHK priten në takim nga Nagavci: Takimi përfundoi pa rezultat, nesër mbahet protesta
SBASHK ka bërë të ditur se pas konferencës për media, Rrahman Jasharaj, Vjollca Shala dhe Ymer Ymeri janë takuar me ministren e arsimit, Arbërie Nagavci dhe zv/ministrin Taulant Kelmendi.
“Pas konferencës me mediet që ka mbajtur sot SBASHK , Ministrja Nagavci bashkë me zv.ministrin Taulant Kelmendi janë takuar në MASHTI me kryetarin Rrahman Jasharaj, nënkryetaren Vjollca Shala, sekretarin e përgjithshëm Ymer Ymeri dhe zyrtarin ligjor Blendor Shatri”, thuhet në njoftim.
Tutje, SBASHK ka njoftuar se takimi ka qenë i shkurtër dhe ka përfunduar pa asnjë rezultat, kështu SBASHK ka theksuar se protesta e nesërme do të mbahet.
Sipas sindikatës, Nagavci nuk pati gatishmëri të bisedojë konkretisht për kërkesat legjitime të anëtarësisë që SBASHK i ka bërë publike tani e sa kohë.
“SBASHK shpreh keqardhje për këtë qëndrim të Ministres Nagavci dhe prandaj nesër do të mbahet protesta e 4 paralajmëruar dhe Këshilli Drejtues do të vendosë edhe për veprimet tjera sindikale. SBASHK uron që nesër në kuadër të protestës përfaqësues të MASHTI-t të takohen me udhëheqës të protestës në përpjeke për të arritur marrëveshje të pranueshme për të dy palët“, thuhet në njoftim.