Përfundon drama Peja – Ylli, ja ekipi që kualifikohet në finalen e madhe
Pas një ndeshje shumë interesante dhe drame në fund, Golden Eagle Ylli ka mundur Pejën me rezultat 84:88 (21:21, 25:24, 18:21, 20:22), për tu kualifikuar në finale të “Play-off”-it, percjell Gazeta e Prizrenit.
Mysafirët e nisën më mirë me një seri prej 0:5, por më pas vendasit u rikthyen shpejt, e më pas u zhvillua lojë e barabartë, duke përfunduar çereku i parë 21:21. Edhe periudha e dytë ishte e ngjashme, me të dy skuadrat që luftonin për çdo top, por asnjëra nuk arrinte të shkëputej, ku pjesa e parë përfundon 46:45.
Në periudhën e tretë, therandasit kishin dy herë epërsi prej shtatë pikësh, megjithatë, pejanët u rikthyen sërish dhe shifrat pas 30 minutash ishin 64:66. Në dhjetë minutat e fundit, Ylli u shkëput në 70:77, por tetë pikë radhazi nga vendasit bën që të kalojnë në epërsi 78:77, por në çastet e fundit, Ylli u shkëput sërish dhe kësaj radhe nuk e lëshoi epërsinë më, për të triumfuar 84:88.
Më i miri te Peja ishte Deandre Davis me 16 pikë e pesë kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli, sërish u dallua Alonzo Verge JR me 25 pikë, shtatë kërcime e shtatë asistime.
Kështu Ylli kaloi në finale, ku do të përballet me Trepçën që ka eliminuar Sigal Prishtinën 3:0 në gjysmëfinale.
/ Gazeta e Prizrenit