26-11-2024

Përfundon faza e fundit e vlerësimit të 80 kandidatëve për gjyqtarë të rinj

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka përfunduar fazën e tretë dhe të fundit të vlerësimit të 80 kandidatëve të cilët synojnë pozitën e gjyqtarit në Gjykatat e Republikës së Kosovës, fazë kjo e cila përfshin intervistën me gojë të kandidatëve dhe vlerësimin e eseve të tyre.

“Betimi për Drejtësi” do të raportojë për rezultatet zyrtare sapo të publikohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Ndryshe, KGJK në nëntor të vitit të kaluar kishte shpallur konkurs për rekrutimin e 54 gjyqtarëve, prej të cilave tetë pozita të tilla do t’i takojnë pjesëtarëve nga komuniteti serb në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Faza e intervistimit  të 80 kandidatëve që synojnë pozitën e gjyqtarit ka filluar me 9 mars 2021 dhe ka përfunduar të mërkurën, ndërsa sot pritet të bëhet edhe vlerësimi i eseve të këtyre kandidatëve.

Rregullorja për rekrutim të gjyqtarëve e miratuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka përcaktuar se kandidatët që kalojnë testin e parë kualifikues i nënshtrohen pjesës së dytë të testimit, që përfshinë testin me shkrim, kurse pjesa e tretë e testimit sipas kësaj rregullore përfshinë intervistën me gojë dhe një ese.

Komisioni për Rekrutim të Gjyqtarëve në Gjykatat Themelore të Republikës së Kosovës përbëhet nga Albert Zogaj, kryesues i KGJK-së, njëherësh edhe kryetar i komisionit, si dhe anëtarë të këtij komisioni Fidan Hoxha, Enver Peci, Avni Mehmeti, Snezana Mihajlovic, ndërsa si anëtarë rezervë në këtë komision janë gjyqtaret Kadrije Goga-Lubishtani dhe Arjeta Sadiku.

Ndryshe, nga 568 aplikantë të cilët kishin plotësuar kushtet për tu bërë pjesë e procesit të rekrutimit për gjyqtarë, 494 prej tyre i ishin nënshtruar testit kualifikues, të cilin e kishin kaluar 163 prej tyre.

Asnjë koment

Comments are closed.