Përfundon gjithçka, deri më 8 gusht nuk ka asgjë për Parlamentin
Ka dështuar edhe seanca e fundit për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, vetëm pak minuta para se të hyjë në fuqi masa e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Nga 00:00 e 27 korrikut, deputetët nuk do të mund të ndërmarrin asnjë veprim për funksionalizimin e Kuvendit, deri më 8 gusht 2025, kur pritet një vendim i ri nga Kushtetuesja.
Kjo masë e përkohshme u vendos me arsyetimin se çdo veprim pas këtij afati mund të shkaktojë dëme të pariparueshme në rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve.

Saga e bllokadës parlamentare numëroi plot 54 tentativa për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit – që nga momenti i shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve e deri te afati final i përcaktuar nga Gjykata.
Partitë politike nuk arritën marrëveshje për kandidaturën e kryeparlamentarit, me Lëvizjen Vetëvendosje që insistoi në Albulena Haxhiun, ndërsa PDK, AAK dhe LDK refuzuan të mbështesin këtë emër.