Përfundon gjykimi ndaj ish-inspektorit të ndertimit në Prizren
Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka përfunduar gjykimi ndaj ish- inspektorit të ndërtimit, Nexhmedin Musliu, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Prokurori i rastit Metush Biraj gjatë fjalës përfundimtare ka kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai tha se përveç provave tjera nga deklarimet e dëshmitarëve dhe posaçërisht nga mbrojtja e të akuzuarit, vërtetohet se i akuzuari Musliu, përveç procesverbaleve dhe vendimeve që i ka ndërmarrë për ndërprerjen e punimeve të objekteve të ndërtuara pa leje, që më konkretisht janë të precizuar në aktakuzë, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim tjetër që ka pasur si inspektor i ndërtimtarisë.
Sipas prokurorit Biraj, inspektori i ndërtimtarisë nuk i ka ndërmarr të gjitha veprimet që i takojnë me ligj.
“Inspektori në këto raste nuk i ka ndërmarrë masat konkrete që ka pasur për obligim në bazë të ligjit, për të iu ndërprerë punimet investitorëve, por është mjaftuar vetëm me aktvendimin për ndërprerjen e punimeve, i njëjti nuk ka ndërmarr veprimet si dhënia e afatit shtesë për rrënim vullnetar apo edhe nxjerrjen e konkluzioneve për rrënim”, tha prokurori Biraj.
Prokurori Biraj kërkoj që me rastin e caktimit të dënimit gjykata, të merre parasysh të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese, të akuzuarit ta shpallë fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Komunës së Prizrenit, avokati Blerim Mazreku, e ka mbështetur në tërësi fjalën përfundimtare të prokurorit Biraj, ndërsa lidhur me kërkesën pasurore juridike tha se të njëjtë do ta parashtroj në kontest juridiko civil, pas shpalljes fajtor të akuzuarit me vendim të formës së prerë.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Musliu, avokati Blend Gjini, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim.
Ai tha se gjatë administrimit të provave gjatë shqyrtimeve gjyqësore nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij, ka kryer veprën me të cilën ngarkohet.
“Nexhmedin Musliu si inspektor i ka ndërmarr të gjitha veprimet në kuadër të kompetencave të tij, si: procesverbalet, kallëzimin penal, gjobat mandatorë, aktvendimin për rrënim vullnetar dhe konkluzionet”, tha avokati Gjini.
Sipas tij, i akuzuari Musliu, jo vetëm në këtë lëndë, por edhe në të gjitha lëndët të cilat padrejtësisht ngarkohet nga prokuroria, me asnjë fakt apo provë nuk është vërtetuar se i njëjti ka kërkuar para apo ka qenë i korruptuar për të bërë lëshime apo favore për objektet pa leje.
Paraprakisht në seancën e së hënës i akuzuari Musliu ka paraqitur mbrojtjen e tij.
Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Biraj, pasi që mbrojtësit e ti Gent e Blend Gjini nuk kishin pyetje për të, i akuzuari Musliu, deklaroi se ai i kishte ndërmarr të gjitha veprimet e parapara me ligj.
“Më sa më kujtohet i kam ndërmarrë të gjitha veprimet për ndërprerjen e punimeve si: aktvendimin për ndërprerjen e punimeve, aktvendimin për kundërvajtje, dënimin mandator dhe kallëzimin penal”, tha i akuzuari.
Ai tha se me të gjitha shkresat që i ka lëshuar ndaj investitorëve iu ka sugjeruar që të njëjtit të pajisën me leje ndërtimi, por se a e kanë bërë një gjë të tillë sipas tij, ai nuk e di, pasi që në viti 2019, kishte kaluar në drejtorinë e shëndetësisë si mbikëqyrës.
Tutje Musliu, deklaroi se në kohën sa ka qenë ai inspektor i ndërtimit objektet që kanë ndërtuar kanë aplikuarë për marrjen e lejes së ndërtimit.
“Objekti Cristal Palac ka pasur kushte ndërtimore dhe ka qenë në fazën përfundimtare për marrjen e lejes së ndërtimit, ndërsa objekti i TEA-së, fillimisht ka pasur leje ndërtimin e katër shtëpijave, më tutje nuk e kam inspektuar, ndërsa objekti Sëis Pelet, kërkesën për leje e ka pasur të depunuar në drejtorin e urbanizmit”, tha i akuzuari Musliu.
I akuzuari Musliu, tha se ai kishte qenë inspektor i thjeshtë dhe se i kishte zbatuar urdhëratë e eprorëve të tij.
“Unë kam qenë inspektori i thjeshtë dhe kam marrë urdhra prej eproreve, aty ku më është thënë që të vazhdohet me rrënim kemi vazhduar, aty ku nuk na është thënë nuk kemi vazhdu me rrënim”, tha ai.
Pas deklarimit të palëve, gjykatësi Artan Sejrani, tha se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 25 mars 2021, në ora 09:00.
Sipas aktakuzës së ngritur më 27 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Nexhmedin Musliu akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar të inspektorit të ndërtimtarisë, nuk i përmbush detyrat zyrtare, me qellim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër, apo t’i shkaktojë dëm personit tjetër.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri në periudha të ndryshme kohore nga vitit 2013, e deri në 2017, në vazhdimësi vetëm formalisht si në aktvendimin e Inspektoratit të Ndërtimtarisë të Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, e pastaj edhe me procesverbale urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi, e pastaj me një procesverbal tjetër urdhëron pajisjen me leje ndërtimi të objektit, përkatësisht të sallonit të dasmave, afër pompës së benzinës “Arbëria”, në hyrje të autostradës në veri të Prizrenit, pronë kjo e investitorit Shemsedin Berisha.
Sipas aktakuzës, Musliu me procesverbal urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi në kompleksin e ndërtimeve “Barut Hane” në Prizren, pronë e investitorit Tahir Krasniqi, ndërprerjen e punimeve ndërtimore në objektin hotelier “Crystal Palace”, ky afër fshatit Landovicë, pronë e investitorit Zait Kabashi, si dhe urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi në depon për prodhimin e peletit, afër rrethit të autostradës, në lagjen “Arban”, pronë e investitorit Asllan Shala.
Sipas aktakuzës, ai urdhëron ndërprerjen e punimeve, mirëpo nuk ndërmerr masa pasuese në frymën e këtyre akteve, gjegjësisht aktvendimeve për rrënime vullnetare dhe përfundimisht konkluzione për rrënim të detyrueshëm të objekteve të ndërtuara pa leje, ku njëherësh i shkakton dëm material edhe Komunës së Prizrenit.
Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e paraparë në nenin 422 , paragrafi 1 e Kodit Penal të Kosovës.
Ndryshe, ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhmedin Musliu akuzohet edhe për dy raste tjera për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtare. /BetimipërDrejtësi