Përfundon rigjykimi për marrje ryshfeti ndaj katër ish-policëve të Prizrenit
Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të enjten, është dhënë fjala përfundimtare në rastin që po zhvillohet në rigjykim ndaj katër ish-zyrtarëve policorë, Neshat Avdaj, Driton Bajrami, Myzafer Sylejmani dhe Binak Bytyçi, që akuzohen për veprën penale të marrjes së ryshfetit.
Prokurori Mehdi Sefa, në fjalën përfundimtare, ka thënë se mbetet në tërësi në fjalën e dhënë më 31 tetor të vitit të kaluar, me të cilën ka kërkuar që të akuzuarit, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas dispozitave ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Mbes në tërësi në fjalën e dhënë më 31 tetor 2017, ndaj këtu të akuzuarve Avdaj, Bajrami, Sylejmani dhe Bytyqi, meqë si atëherë, ashtu edhe gjatë këtij rigjykimi tre të akuzuarit e parë e kanë pranuar fajësinë, ndërsa pas administrimit të provave dhe eliminimit të vërejtjeve të Gjykatës së Apelit, është vërtetuar se edhe i akuzuari i katërt Binak Bytyçi, ka kryer veprën penale të parashkruar si në dispozitiv”, tha prokurori Sefa.
Ai tha se, me rastin e marrjes së vendimit mbi shqiptimin e dënimit, gjykata t’i ketë parasysh të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit, po ashtu sipas tij, përveç rrethanave rënduese, të ketë parasysh edhe ato lehtësuese për tre të akuzuarit që e kanë pranuar fajësinë.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Neshat Avdaj, avokati Skender Morina, ka kërkuar që në marrjen e vendimit mbi dënimin, gjykata të merr parasysh rrethanat lehtësuese pasi që i mbrojtur i tij është i pa punë dhe mbajtës i familjes.
“Pasi që i akuzuari Avdaj, që nga fillimi i procedurës e ka pranuar fajësinë, i propozojmë gjykatës që me rastin e marrjes së vendimit, të merr parasysh faktin se i mbrojtur i im është mbajtës i familjes, i pa punë si dhe i njëjti ndien pendimin e thellë për këtë vepër, duke premtuar se nuk do të kryen ndonjë vepër tjetër penale, andaj e lus gjykatën për një dënim sa më të butë”, tha avokati Morina.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Driton Bajrami, avokati Asman Hoxha, fjalën përfundimtare gjykatës ia ka dorëzuar në formë të shkruar, e gjatë elaborimit të së njëjtës, tha se duke marr parasysh faktin se i mbrojtur i tij e ka pranuar fajësinë që nga fillimi i procedurës, dhe i njëjti ndihet se më kurrë nuk do të bie ndesh me ligjin, ka kërkuar që gjykata në matjen e dënimit të merr parasysh të gjitha këto rrethana lehtësuese.
Mbrojtësi i të akuzuarit Myzafer Sylejmani, avokati Bashkim Nevzati, tha se në rastin konkret kemi të bëjmë me një pranim fajësie që nga fillimi i procedurës, duke kërkuar që me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimin, t’u mundësohet një propozim lidhur me dënimin e shqiptuar.
Ndryshe, mbrojtësi i të akuzuarit Binak Bytyçi, avokati Rexhep Hasani, fjalën përfundimtare gjykatës ia ka dorëzuar në formë të shkruar, i cili gjatë elaborimit të së njëjtës tha se i mbrojturi i tij Bytyqi, akuzohet për një vepër të pavërtetuar.
“I mbrojturi im Binak Bytyçi, akuzohet për një vepër penale e cila në asnjë provë nuk është e vërtetuar se ai ka kryer veprën në fjalë, në bazë të audio-incizimeve, kemi parë se i mbrojtur im nuk ka të bëjë fare me këtë vepër, në ato pamje nuk shihet personi i cili i ka dhënë para apo diqka tjetër të akuzuarit Bytyqi”, tha avokati Hasani.
Ai tha se procedura hetimore ndaj të mbrojturi të tij, është zhvilluar padrejtësisht, si dhe ka kërkuar që gjykata në matjen e dënimit të merr aktgjykim lirues.
Me kaq, gjykatësja e kësaj çështje, Ajser Skënderi, e ka shpallur të përfunduar këtë gjykim, si dhe ka njoftuar se shpallja e aktgjykimi do të bëhet 10 dhjetor 2018, në orën 09:30.
Ndryshe, më 24 shkurt 2017, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve në fjalë, të cilët i akuzon se gjatë periudhës gusht-nëntor 2016, duke vepruar si policë trafiku, drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe marrë ryshfet në të holla.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit, u kanë marrë para shkelësve të rregullave të trafikut, në shuma të ndryshme, duke filluar prej 10 e deri në 100 euro, në mënyrë që të mos u shqiptojnë gjobat kundërvajtëse.
Në nëntor 2017, Gjykata Themelore në Prizren, kishte dënuar të akuzuarin Neshat Avdaj me dy mijë euro gjobë dhe me burgim efektiv prej një viti, ndërsa të akuzuarit Driton Bajrami dhe Myzafer Sylejmani, me nga 1500 euro dhe me nga tetë muaj burgim efektiv, të cilët gjatë shqyrtimit gjyqësor kishin pranuar fajësinë.
Ndërsa, i akuzuari i katërt, Binak Bytyqi, ishte liruar nga akuza për marrje ryshfeti me arsyetimin se nuk është arritur të provohet akuza gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Mirëpo, më 29 mars 2018, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe mbrojtësve të të akuzuarve Bajrami dhe Sylejmani, duke kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje.
Sipas vendimit nga Apeli, rasti është kthyer në rigjykim për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, zbatimi i gabuar i ligjit penal dhe kundërthënieve në mes dispozitivit dhe arsyetimit.
Në vendimin e Apelit thuhet se gjyqtari i shkallës së parë ka liruar njërin prej të akuzuarve duke pretenduar se masat e fshehta nuk janë zbatuar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, mirëpo gjatë arsyetimit thirret në provat që kanë dalë si pasojë e atyre masave të fshehta. /Betimipërdrejtësi/