Përfundon rinumërimi i votave
Ka përfunduar rinumërimi i të gjitha votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, proces i cili kishte nisur më 13 janar pas dyshimeve për manipulime me votat e kandidatëve për deputetë.
Në uebfaqen ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përditëson rezultatet, shihet se janë numëruar të gjitha 2,557 vendvotimet.
Rinumërimi nuk ka ndryshuar ulëset e deputetëve për partitë, por ka sjellë ndryshime në numrin e votave të kandidatëve.
Më së shumti ndryshime janë regjistruar në listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Nëntë kandidatë të kësaj partie kanë humbur më shumë se 1,000 vota pas rinumërimit.

Lista kryesohet nga Fetah Paçarizi, i cili ka humbur 6,869 vota, ndjekur nga Nait Hasani me 3,326 vota, Kujtim Gashi me 2,434 vota, Luljeta Veselaj-Gutaj me 2,118 vota, Arianit Çollaku me 1,673 vota, Fadil Demaku me 1,308 vota, Enver Hoxhaj me 1,237 vota, Xhavit Haliti me 1,167 vota dhe Gazmend Maliqaj me 1,034 vota.
Te Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dy kandidatë kanë humbur më shumë se 1,000 vota: Xhavit Uka nga Prizren me 1,628 vota dhe Driton Selmanaj me 1,065 vota.
Ndërkohë, te Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Taulant Kelmendi ka humbur 922 vota, i ndjekur nga Arbër Rexhaj me 622 vota.

