02-06-2025

Përgatitjet për Vidovdan nga Prizreni me thirrje e slogane nacionaliste

Në portat e Manastirit të Kryeengjëjve të Shenjtë pranë Prizrenit është mbajtur festivali folklorik për fëmijët “Takimi me Vidovdanin”, duke shënuar kështu 24-vjetorin e këtij festivali.

Manifestimi u hap, sipas traditës, me një valle të madhe ku morën pjesë rreth 1.000 fëmijë nga 22 shoqata kulturore-artistike, duke treguar pasurinë e kostumeve të krahinave të tyre.

Zëvendësdrejtoresha e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në sektorin për bashkëpunim me Kishën Ortodokse Serbe dhe përkujdesjen për trashëgiminë kulturore, Milena Parliç, tha se ky nuk është vetëm një manifestim kulturor, por edhe një amanet i qëndrueshmërisë, i mos-harrimit dhe i ruajtjes së gjithçkaje që na kanë lënë të parët tanë.

“Ja ku jemi në festivalin e fëmijëve të folklorit në Prizrenin e lavdishëm, në qytetin e krenarisë, të lavdisë, në qytetin e vuajtjes, të lotëve, një qytet që, nëse e shohim përjetësinë, vetëm për një çast ka qenë një qytet që u tentua të fshihej. Një qytet i lënë pa këngë mes shtëpive të djegura, dhe ku vetëm për një çast nuk ishim as ne, as kënga”.

”Prej vitesh, falë fëmijëve tanë, eparkisë, ne jemi dëshmitarë dhe pjesëmarrës në ringjalljen e Prizrenit. Ky nuk është vetëm një manifestim kulturor, ky është një amanet i qëndrueshmërisë, i mos-harrimit, një amanet për ruajtjen e gjithçkaje që na kanë lënë të parët tanë, që e kanë ndërtuar me djersë, me gjak, me lutje, me yjet që i kanë udhëhequr në ditët më të vështira,” citohet të ketë thënë Parliç./EO

Asnjë koment

Comments are closed.