Përkujtohet masakra në Krushë të Vogël/ Presidentja Osmani: S’do të ndalemi kurrë së kërkuari drejtësi për viktimat e luftës
Presidentja Vjosa Osmani ka marr pjesë edhe në përkujtimin e masakrës në Krushë të Vogël, ku është zotuar para familjarëve të viktimave të luftës, se nuk do të ndalen kurrë së kërkuari drejtësi për viktimat e luftës.
“Kurrë nuk do të harrojmë dhe kurrë nuk do të falim për krimet që janë kryer kundër popullit të pafajshëm të Kosovës. Edhe sot 60 nga më të dashurit tuaj janë në mesin e të zhdukurve me dhunë njësoj sikur edhe mbi 1 mijë në gjithë Kosovën”.
“Me ngulm e vendosmëri do të bëjmë çmos e nuk do të ndalemi asnjëherë duke kërkuar që ta zbardhim fatin e tyre. Lufta për lirinë e Kosovës ka qenë e drejtë, luftë për të mbrojtur pragun e shtëpisë, prandaj kjo është e vërteta e vendit, e vërtetë e një populli që ka sakrifikuar çdo gjë për lirinë e vendit”, tha Osmani.
Kryetari i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur Andin Hoti, lexoi mesazhin e Erza Shehut, vajzës se vogël nga Krusha e Vogël, e cila ka humbur më të dashurit e saj. Ajo përmes atij mesazhi kërkonte drejtësi.
Edhe Hoti tha se asnjëherë nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për viktimat e luftës. “Kur vij në Krushë të vogël dhimbja më shtohet. Ky mesazh tregon më së miri dhimbjet që serbët shkaktuan. Kjo tregon që ne duam drejtësi dhe për këtë ne do të luftojmë o në Bruksel o kudo në botë”.
“Sot fatkeqësisht në ende duhet të përballemi në tavolinat e Brukselit me ata që kanë kryer krimet, ne do të kërkojmë drejtësi dhe kurrë nuk do të ndalemi. Krusha kërkon vetëm drejtësi”.
“Sot duke përkujtuar burra dhe gra, të rinj dhe pleq, duke përkujtuar masakrat më të mëdha, luteni që dhimbjen ta bëni krenari”, tha Andini, i biri i veprimtarit të shquar Ukshin Hoti, fati i të cilit po ashtu nuk është zbardhur ende.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se liria e Kosovës është rezultat i një sakrificë dhe lufte e popullit të Kosovës.
“Të përkujtojmë barbarizimin e një regjimi i cili i takon të kaluarës, të përkujtojmë gjithë atë terror që disa prej ne kemi përjetuar, kemi humbur fëmijë, nxënës dhe kemi akoma të pagjetur, andaj gjithë kjo e vështirëson një lëvizje përpara pa u zbardhur fati”.
“Liria jonë nuk ka pikë nga qielli, por është rezultat i një sakrifice, luftë, e beteje luftarake”, tha Totaj.
Kryetarja e fshatit, Shpresa Shehu, tha se me dhimbje e lotë janë duke përkujtua 113 të vrarët në këtë fshat.
“Edhe ky përvjetor, si vitet e tjera, na gjen në ankthin e pritjes. Me dhimbje e lot sot përkujtojmë 113 familjarë të moshave të ndryshme që u vranë e u zhduken nga serbët. Sot ne kujtojmë 113 të vrarët në mënyrën me makabre që njeh bota. Në këtë përvjetor, ne kujtojë fëmijët e vrarë, nxënësit që ishin në bankat fillore, kujtojmë studentët, ëndrrat e të cilëve për të ardhmen u ndërprenë. Burra e pleqnarë, njerëz të pafajshëm qe u vranë vetëm për shkak se ishin shqiptarë”.
“Ne presim që edhe 60 të zhdukurit të gjenden”, tha Shehu.
Ajo përmendi dhe krerët e UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë.
“Çlirimtarë të UÇK-së dhe themeluesit e shtetit sot padrejtësisht janë në Hagë. Ne kërkojmë që shteti të kërkojë drejtësi, të mos ketë as bisedime me Serbinë pa u zbuluar fati i të zhdukurve”, tha Shpresa Shehu. /ekonomia online