Për*leshje me sëpatë në Dragash – dy persona përfundojnë në spital, arrestohen për lëndim të rëndë trupor
Një konflikt banal për qarkullimin e traktorit ka eskaluar në dhunë të rëndë pasditen e së enjtes në fshatin Shajne të Dragashit, duke përfunduar me dy persona të lënduar dhe me ndalim policor për të dy palët.
Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 16:00, ndërsa rasti është raportuar në Polici në ora 16:30 nga stafi i QKMF Dragash, i cili ka njoftuar se po trajtohej një person me lëndime trupore, si pasojë e një përleshjeje fizike.
Burime nga hetimi bëjnë të ditur se konflikti ka shpërthyer pas një mosmarrëveshjeje për të drejtën e kalimit me traktor përmes pronës private.
Të përfshirë në incident janë: V. Vehapi, rreth 44-vjeçar dhe R. Hyseini, rreth 37-vjeçar.
Sipas informacioneve fillestare, gjatë përleshjes është përdorur një mjet i mprehtë – një sëpatë/sakicë e vogël, e cila ndodhej në rimorkion e traktorit të njërës palë. Dyshohet se mjeti është përdorur nga të dy personat kundër njëri-tjetrit.
Si pasojë e dhunës njëri nga të dyshuarit ka pësuar lëndime të lehta trupore (prerje në krahë dhe gërvishtje në kokë), ndërsa pala tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore, përfshirë frakturë në krahë.
Të dy janë trajtuar fillimisht në QKMF Dragash dhe më pas janë transferuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Pas trajtimit mjekësor, të dyshuarit janë paraqitur në Stacionin Policor në Dragash, ku janë intervistuar në prani të mbrojtësve. Sëpata e përdorur është konfiskuar si provë materiale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale: “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Ndërsa për të dy të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit po vazhdojnë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

