25-11-2024

Përleshje mes dy grupeve në Rahovec: Katër të rinj nga familja Hoti përfundojnë në spital, të dyshuarit ikin

Konfliktet mes të rinjtë jo rrallëherë eskalojnë në përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Motivet shpesh dalin të jenë banale dhe lidhen me probleme për të cilat ata nuk arrijnë të merren vesh dhe për pasojë futen në sherr. Një rast i tillë ka ndodhur dje në Ratkoc të Rahovecit. raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë në rrahje janë përfshirë dy grupe të të rinjve, mbi 10 persona, të cilët janë kapur me njëri-tjetrin për shkak të një zënke që kanë pasur mes vete.

Debati mes tyre kaloi në dhunë fizike, me ç’rast pesë prej tyre mbetën të lënduar, e madje njëri ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se katër nga pesë të rinjtë që u rrahën janë nga familja Hoti.

Bazuar në deklaratat e tyre, të dyshuarit kanë qenë po ashtu të moshave të reja dhe janë zhdukur menjeherë pasi ka ndodhur rasti.

Teksa të lënduarit po marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Gjakovës, Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

P. S Foto nga arkivi / Gazeta e Prizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.