22-11-2024

Përmirësimi i pushtetit apo lodhja e opozitës në Prizren?

Veprimin opozitar të nisur kah mesi i vitit, duket se e kanë ndërprerë dy subjektet opozitare PDK e AAK në Prizren, që hiq ndonjë reagim individual në rrjete sociale, muajin e fundit nuk kanë pasur ndonjë  hap të dukshëm konkret, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Opozita, që në nga mesi i vitit e këndej u tregua më aktive, duke hedhur një mal kritikash ndaj qeverisjes lokale të Mytaher Haskukës, të cilin e akuzuan për një varg dështimesh, përfshirë procesin e stërzgjatur të zgjedhjes së drejtorëve të shkollave, ngecjet në investime kapitale, politizimin e klubit Liria, punësimin e militantëve joprofesional partiak, ata detyruan organin më të lartë, që brenda dy muajsh, Kuvendin Komunal (KK) të mbajë edhe dy mbledhje të jashtëzakonshme. Me kërkesë të opozitës, KK i Prizrenit debatoi për gjendjen në arsim dhe mosmbajtjen e festivalit tradicional “Zambaku i Prizrenit”.

Pas këtyre reagimi opozitar konkret nisi të mungojë. Nuk ndodhi as paralajmërimi i PDK-së për formimin e “qeverisë lokale nën hije”, që do ta vëzhgonte qeverisjen komunale.  Ndonëse deri nuk ka ndonjë lëvizje të dukshme në këtë drejtim, burime të besueshme të portalit “GazetaePrizrenit” konfirmojnë se tashmë ka disa emra konkret, të cilët do të jenë pjesë e “qeverisjes së mirë” të opozitës, por ata nuk janë bërë publik.

Nga 41 ulëse në KK-së, opozita ka 19 vende. Vetëm 3 vota kanë më shumë subjektet e koalicionit qeverisës, prirë nga kryetari Mytaher Haskuka, të cilit komoditetin e krijuar gjatë pjesës së parë të vitit, në mungesë të ndonjë reagimi opozitar, ia prishën muajt e verës. Pas “ngjalljes” së opozitës, Haskuka  nisi t’i injorojë mbledhjet e KK-së, në të cilat mungonte, veprim ky që u kritikua nga opozita.

Shtrohet çështja a duhet pritur vetëm mbledhjet e Asamblesë lokale për opozitarizëm? A ekzistojnë format tjera, konferencat për shtyp për çështje të caktuara, reagimet përmes komunikatave, etj?

Në PDK tashmë po zhvillohen zgjedhjet e brendshme, proces ky që sigurisht reflektohet edhe në politikbërjen aktuale të subjektit më të madh në Prizren, por që është në opozitë.

Në AAK, muajin e fundit janë parë më pak reagime, të cilat në formë të qëndrimeve individuale zakonisht paraqiten nëpër rrjete sociale. Përjashtuar reagimet e Ilir Baldedajt,  karakteristikë gjatë kësaj kohe, ishte një reagim i njërit prej kuvendarëve ‘veteran’ në KK, Fatmir Kastratit, i cili në mungesë të ujit, problem të cilin në lagjen e tij e ka ngritur prej kohësh,  përmes një postimi në “facebook” ai ka pyetur: “Nëse Prizreni ka zot shtëpie”. Por, a është e mjaftueshme vetëm kaq? Do të ishte e udhës që çështjen e furnizimit me ujë në Prizren, Kastrati ta vazhdonte bartjen, në një pikë të posaçme edhe në Kuvend, për të kërkuar përgjegjësi më këmbëngulëse.

Në anën tjetër, “pauzimin” opozitar,  së fundi përmes “facebook-ut” po ashtu e ka prishur edhe Zafir Berisha, kryetar i Nismës, që është në koalicionin qeveris në Prizren. Derisa ka shkruar për çështjen e punësimit në komunë, ai ka hedhur akuza të rënda ndaj bashkëpunëtorëve kryesor, në kabinetin e Haskukës, të cilët i vlerësoi si “hiena”.

Megjithëse, nga ana e Hakukës nuk pati ndonjë kundërreagim ndaj akuzave të Zafës, vëmendjen e krijuar në opinion e prishi, kryetari i degës së LDK-së, Haxhi Avdyli, i cili akuzat e Zafir Berishës ndaj Hakukës, i cilësoi të çuditshme dhe në stilin  “T’i them sa s’më ka thënë”.

Ndonjë reagim opozitar nuk pati as tash kur ekzekutivi komunal i Prizrenit, në mbledhjen e fundit,  fajin për ngecjen e disa projekteve,  edhe pas një viti ia hodhi qeverisjes së kaluar, të përbërë nga PDK e AAK.

E tashmë kur jemi në fundvit dhe kur zakonisht bëhen bilance vjetore të punës, përfshirë edhe këtë të qeverisjes lokale të Prizrenit, që mbush vitin në pushtet,  mbetet të shihet nëse PDK dhe AAK do ta rikthejnë veprimin dinjitoz opozitar.  Ndryshe, shtrohet pyetja, ka ndodhur përmirësimi i pushtetit apo lodhja e opozitës?/GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.