24-11-2024

Përse Zafir Berisha akuzon bashkëpunëtorët e Haskukës?

Çfarë e ka shtyrë së fundi kryetarin e Nismës në Prizren, Zafir Berishën të reagojë ndaj kabinetit të kryetarit të Komunës,  Mytaher Haskuka, për siç ka thënë “koalicion të heshtur me klanin Pronto”?

Berisha, përmes një postimi në “facebook”, një ditë me parë u shpreh se ndien për obligim që në këtë formë ta bëj një sqarim lidhur me dukurinë e punësimit në Prizren!

Por, a janë shkak për reagimin e tij konkurset e hapur për 6 vende, për të cilin paraprakisht lakohen disa emra, të cilët do të pranohen ende pa u mbyllur procesi?

Bëhet fjalë për dy pozita në sektorin Ekonomi e financa,  një në Drejtorinë e  Shëndetësisë, një në  atë të Turizmit, një në Kadastër dhe një në Bibliotekë të qytetit.

Sipas informacioneve të portalit  “GazetaePrizrenit.net”, një konkurs ndërkaq është anuluar në drejtorinë e Mirëqenies sociale.

Zafir Berisha, ndërkaq ka qenë konkret në akuzat e tij, dhe atë në drejtim të njeriut kryesor në kabinetin e kryetarit Haskuka, Krenare Koqit.

“Ne dhe fryma jonë socialdemokrate nuk qëndron pas lojrave të flliçura të Krenare Koqit, hijenave dhe ,,komisarve politik,, që qëndrojn prapa z.Haskuka të cilin në bashkpunim me mbetjet e krimit të organizuar të ,,Klanit Pronto,, kurdisin çdo konkursë ku paraprakishtë dihen edhe se kush ka me u pranuar në punë.

Edhe pse e kemi diskutar disa herë me z.Haskuka çështjen e njerëzve me dosje të shumta që janë në institucione të Komunës së Prizrenit, ai me heshtje tashmë po tregohet i pafuqishëm ndaj atyre dhe njerëzve që e rrethojn, një pjesë e të cilve nuk ju dihet misioni në institucionet e Komunës së Prizrenit…”, ka shkruar Berisha.

Ndonëse edhe më parë ka pasur kritika publike nga asamblistë të Nisma-së, ndaj kryetarit Haskuka, sikur ka ndodhur në rastin e anulimit të konkursit të parë për drejtorë shkollash, reagimi i tillë i Zafir Berishës përbën të parin nga niveli i kreut të subjektit, që përbën forcën e tretë në bashkëqeverisjen lokale.

Një reagim të tillë, disa media e kanë vlerësuar si fundin e koalicionit, por këtë e ka mohuar Berisha.

“Nëse flasim realisht, nuk ka ndonjë përçarje”, ka thënë shkurt Berisha për “GazetaePrizrenit.net”.

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.