25-11-2024

Përvjetori i vdekjes së aktorit e këngëtarit prizrenas, Din Kukajt, shënohet me përurimin e librit të tij  

Përvjetori i parë pas shkuarjes në amshim i aktorit, këngëtarit dhe aktivistit prizrenas Din Kukaj, është shënuar me përurimin e librit të tij “Kujtime djaloshare”.

Emërues i përbashkët në fjalimet e krijuesve dhe artdashësve pjesëmarrës ishte ajo se Kukajn e karakterizonte një karakter i lartë njerëzor si dhe talenti në arte, duke dhënë kontribut të çmuar shumëvjeçar në fushën e kulturës, shkruan shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

I ndjeri, vite me radhë ishte anëtar i teatrit, duke interpretuar shumë role në dramat e përgatitura nga ky trup. Krahas kësaj ishte edhe anëtar i korit të SHKA “Agimi”,  një ndër më të vjetrit në Kosovë.

Kukaj po ashtu ishte ndër themeluesit dhe vokalist i bendit të njohur prizrenas “Elonida”, që ka interpretuar një numër të madh të këngëve, të cilat një kohë ishin ndër hitet më të dëgjuara nga adhuruesit e këtij zhanri muzikor, në vitet 80-ta.

Mbahet mend kënga “Lulja ime” e cila nën interpretimin mjeshtëror të Kukajt, pat fituar zemrën e shumë dëgjuesve nëpër aktivitet të ndryshme muzikore të asaj kohe, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Disa herë ishte pjesëmarrës i festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”, ku edhe ishte shpërblyer.

Në mbrëmjen përkujtuese ku ishin të pranishëm familjarë, miq e dashamirë si dhe artdashës prizrenas, kontributin e Kukajt në fushën e artit e vlerësuan: poeti Salajdin Krasniqi,  Berat Batiu, Nexhat Çoçaj, Kujtim Gërmizaj, pastaj përfaqësuesi i tetarit amator, Fikret Ramaj, e të tjerë.

Kukaj u nda nga jeta vitin e kaluar,  në moshën 58 vjeçare, ndërsa përkujtimi, në të cilin u përurua edhe libri i tij ”Kujtime djaloshare” botuar nga SHB “Fidani”, u mbajt në mjediset e SHKA “Agimi”.  / GazetaePrizrenit.net /

Asnjë koment

Comments are closed.