24-11-2024

Pesë vjet burg personit që pranoi se ka ndihmuar grabitësin në Istog, ku u vra polici Demaj

Gjykata Themelore në Pejë, të premten, e ka dënuar me pesë vjet burg, të akuzuarin Ujkan Metaj, i cili e kishte pranuar fajësinë se e kishte ndihmuar tani të ndjerin Kamer Metaj, për të kryer grabitjen e bankës në Istog, ku si pasojë e kësaj, ishte vrarë polici Izet Demaj.

Gjatë kësaj grabitje, gjatë shkëmbimit të zjarrit me pjesëtarë të policisë, kishte mbetur i vdekur edhe grabitësi Kamer Metaj

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, të akuzuarit Ujkan Metaj do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgimin nga 27 dhjetori 2018, e tutje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në bazë të këtij aktgjykimi është shqiptuar edhe dënimi plotësues, konfiskimi i automjetit “Golf 4”, pronë e tani të ndjerit Kamer Metaj, një pushkë automatike “AK 47”, një granat dore “M-75” dhe një revole e tipit “Çeska”.

Palët e dëmtuara janë udhëzuar në kontest civil, ndërsa të pandehurit i është vazhduar masa e paraburgimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 14 mars në Gjykatën Themelore në Pejë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Sahide Gashi, i akuzuari Metaj, që është kushëriri i tani të ndjerit Kamer Metaj, ka thënë se e pranon fajësinë dhe se shpreh keqardhje për rastin që ka ndodhur.

Kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, e kishte miratuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Ndryshe, në këtë rast për ndihmë në kryerjen e kësaj grabitje, ka qenë i akuzuar edhe vëllai i tani të ndjerit Kamer Metaj, Ylber Metaj, mirëpo ndaj tij kanë pushuar hetimet.

Prokurorja Sahide Gashi, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se me asnjë provë nuk është vërtetuar se ai ka qenë i përfshirë në këtë rast.

Ndryshe, sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 15 shkurt 2019, e akuzon Ujkan Metaj se me 27 dhjetor 2018, rreth orës 14:30, në Istog, në filialin e “NLB Bank”, me dashje e ka ndihmuar të dyshuarin tani të ndjerë Kamer Metaj në kryerjen e veprës penale të vjedhjes grabiqare.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ujkan Metaj, ngarkohet se me veturën e tani të ndjerit Kamer Metaj, të cilin e dërgon tek rruga “Kadri Keqa”, në Istog, ndërsa pasi i dyshuari Kamer Metaj del nga vetura i armatosur për të kryer grabitjen, i akuzuari Ujkan Metaj kthehet në fshatin Shushicë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari kishte ndihmuar tani të ndjerin Kamer Metaj, ku i njëjti më pas kishte hyrë në bankën “NLB” dhe nën kërcënimin e armës kishte grabitur shumën prej 3636 euro, ndërsa pasi polici Izet Demaj e urdhëron të ndalojë, i akuzuari ka shtënë në drejtim të tij duke i shkaktuar policit Demaj plagë të rënda ku ndërron jetë.

Ndërkaq, policia gjatë shkëmbimit të zjarrit e ka goditur për vdekje tani të ndjerin Kamer Metaj./Express

Asnjë koment

Comments are closed.