Pesë vjet pa Agim Bytyqin, njeriun që la gjurmë
Sot bëhen pesë vjet që prej kur u nda nga jeta njeriu që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit të Kosovës, kryetari i parë i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Bytyqi.
Emri i tij do të mbetet përgjithmonë i lidhur me kohën e vështirë të fillimeve tona, me guximin për të ndërtuar institucionin e futbollit në rrethana okupimi, kur çdo hap kërkonte përkushtim, vizion dhe sakrificë.
Agim Bytyqi dhe bashkëpunëtorët e tij ishin themeluesit e rrugëtimit tonë si futboll i pavarur. Ata krijuan themelet mbi të cilat sot qëndron me dinjitet e përgjegjësi FFK-ja moderne, një federatë që përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe i jep kuptim ëndrrës së shumë gjeneratave.
Kujtimi për Agim Bytyqin nuk lidhet vetëm me historinë, por me frymën e tij punëtore, idealin për liri, e dashurinë e madhe për futbollin dhe vendin. Ai ishte njeri i urtë, vizionar dhe guximtar, që me vepra tregoi se futbolli mund të jetë edhe mjet rezistence, por edhe shpresë për të ardhmen.
Në këtë përvjetor, e kujtojmë me nderim dhe falënderim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm.
Vizioni dhe vendosmëria e tij do të mbeten përherë udhërrëfyes për brezat që do të vazhdojnë ta ndërtojnë historinë e futbollit tonë.
I përhershëm kujtimi për Ty, miku im! /
Nga Agim Ademi, kryetar i FFK-së
P. S Agim Bytyqi pos qe ka qen kryetari parë i Federatës së Futbollit, pas Pavarësimit, ka qenë kryetar shumë vjeçar i klubit Liria, para e pas luftës.