26-11-2024

Pezullohet për kohë të pacaktuar greva e administratës së Gjykatave Themelore

Në ditën e 18- të, punonjësit e administratës së Gjykatave Themelore të Kosovës, kanë pezulluar grevën.

Këshilli grevist i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka thënë se arsyeja e pezullimit të grevës është sepse është ofruar një marrëveshje për përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Greva në Pallatin e Drejtësisë e filluar me datë 1 mars 2022, pezullohet për një kohë të pa caktuar”, thuhet në pikën e parë të komunikatës nga Shoqata Sindikale e Administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, sipas kësaj komunikate thuhet se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) është zotuar se të gjitha kërkesat e tyre do të adresohen në institucionet relevante.

“Hierarkia e KGJK-së, u zotua se të gjitha kërkesat tona do të adresohen në institucionet relevante të vendit dhe do të kërkohen që të përmbushen që të gjitha”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Ndryshe, greva e punonjëseve të administratës së gjykatave kishte filluar më 1 mars fillimisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë për ta vazhduar më pas edhe gjykatat tjera. Kjo ka bërë që shumë raste gjyqësore të dështojnë të mbahen.

Seancat të cilat janë mbajtur kanë qenë vetëm ato që konsiderohen urgjente e që janë raste e dhunës në familje, rastet me paraburgim dhe ekzekutimet sipas urdhëresave dhe pranimi i parashtresave të ankesave me afat.

Kërkesat e punonjësve të administratave të gjykatave janë koncept-dokumenti për stafin e administratës së gjykatave dhe prokurorive në nivel të vendit në kuadër të shërbyesve civil, ose Ligji për Administratën e Gjykatave dhe Prokurorive, përafrimi i pagave të stafit të administratave të gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe pagesa e shujtës ditore në vlerë prej tri euro si dhe transporti. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.