23-11-2024

Pika e re kufitare lehtëson jetën e qytetarëve në mes Shqipërisë e Kosovës

Në ceremoninë e hapjes së kësaj pike kufitare u paralajmëruan marrëveshje të tjera në mes dy vendeve tona, derisa u tha se kjo pikë kufitare do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve nga të dyja anët por gjithashtu do të shërbejë edhe për zhvillimin e turizmit në këtë zonë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Bledar Çuçi ka thënë se me hapjen e kësaj pike kufitare po krijojnë ura sa më të komunikueshme midis vendeve tona për të bërë jetën e qytetarëve sa më të lehtë.

“Besoj se të gjithë përfitimet që do të pësojnë të dy komunitetet në dy anët që në fakt kanë një lidhje historike shumë më të largët se sa historia jonë e afërt, ne nuk bëjmë asgjë tjetër veç se i kthejmë ata në historinë e tyre, në traditat e tyre dhe ky është qëllimi parësorë si kundër pastaj edhe qëllimet e tjera që lidhen me krijimin e kanaleve të lëvizshmërisë qoftë të njerëzve qoftë të mallrave, të turizmit. Të dy anët e kufirit janë zona me potenciale të jashtëzakonshme të turizmi…Në agjendën e përbashkët të filluar me nënshkrimin e tri marrëveshjeve, por që nuk do të ndalojë te këto tri marrëveshje, ky është një nga hapat e rëndësishëm të këtyre tri marrëveshjeve”, tha ai duke shtuar se shumë shpejt do të heqin edhe regjimet tjera të lëvizjes së qytetarëve tonë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se hapja e kësaj pike është dëshmi e vullnetit të të dy qeverive që të tejkalohen të gjitha vështirësitë dhe jetën e qytetarëve ta bëjnë sa më të lehtë.

“Forcimi i raporteve tona nuk do të ndalet këtu. Kjo është realizimi i marrëveshjes së dytë nga tri të cilat dy ministritë tona, dy qeveritë tona i kanë nënshkruar por do të ketë edhe marrëveshje tjera. Shumë punë duhet të bëjmë që bashkëpunimi ynë të jetë sa më i afërt, sa më dinamik e që qytetarin e zakonshëm të jetë sa më i padukshëm që ne realisht ta përmbushim misionin tonë të parë, të jemi në shërbim të tyre”, tha ai.

Sipas ministrit Sveçla, kjo pikë kufitare do të jetë e hapur 24 orë dhe shtatë ditë në javë që do t’i shërbejë qytetarëve tonë dhe shtetasve të vendeve të treta.

Ai shtoi se kjo zonë është me shumë gjasa për t’u zhvilluar dhe duhet t’i ndihmuar, pasi është zonë që mund të ketë edhe zhvillim të hovshëm të turizmit.

 

Asnjë koment

Comments are closed.