Pika informuese turistike nga “Bazhdarhana” në Stacionin e Autobusëve në Prizren
Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Prizrenit të martën ka rifunksionalizuar pikën informuese për turistë që tani është vendosur afër Stacionit të Autobusëve.
Sipas zyrtarëve komunalë, kjo pikë informuese më parë ka qenë e vendosur në lagjen “Bazhdarhane” dhe “që prej vitit 2017 ka qenë jashtë funksionit, për arsye të vendosjes në lokacion të gabuar”. Drejtuesit e Komunës kanë bërë të ditur se duke marrë për bazë zonat më të frekuentuara nga turistët si dhe nevojën për t’i dhënë informacione atyre, është vendosur që kjo pikë informuese për turistë të rifunksionalizohet dhe të zhvendoset në afërsi të Stacionit të autobusëve, si zonë më e qasshme për vizitorët e qytetit.
“Hapja e kësaj pike informuese për turistët është e dobishme duke pasur parasysh faktin se Prizreni është një qendër turistike në nivel të vendit. Kjo pikë do t’u shërbejë të gjithë vizitorëve të Prizrenit, ku numri më i madh i tyre vijnë me autobus në Stacionin e autobusëve. Këtu ata do të mund të informohen për Prizrenin, institucionet dhe ngjarjet kulturore që zhvillohen në qytet”, ka thënë nënkryetarja e Komunës për komunitete, Memnuna Ajdini. Ajo ka theksuar se afër Prizrenit ndodhet edhe parku kombëtar “Sharri”, i cili është vend mjaft i vizituar por edhe pikë për të cilën shprehin interesim edhe shkencëtarët, prandaj dhe përmes kësaj pike mund të orientohen edhe për vendet që duhet vizituar në këtë zonë të mbrojtur natyrore. “Të gjitha këto do t’i sjellin dobi Prizrenit. Besoj se edhe kjo pikë informuese do të lehtësojë punën e organizatave turistike dhe do ta ngre turizmin e Prizrenit në nivel më të lartë”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa drejtoresha e Turizmit në Komunën e Prizrenit, Sevil Kazaz, ka theksuar se kjo është pika e tretë informuese për turistë në Komunën e Prizrenit, krahas atyre që gjenden në ndërtesën e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, dhe pikës tjetër në rrugën “Farkëtarët”.
“Kjo pikë ka qenë e vendosur në ‘Bazhdarhane’ dhe nga viti 2017 nuk ka qenë funksionale. Tash e kemi bartur këtu, në një zonë më të frekuentuar nga turistët, pasi ata vijnë me autobusë dhe mund të marrin shërbime për turizmin në Prizren”, ka thënë Kazaz. Sipas saj, në këtë pikë do të punohet sipas orarit të rregullt 08:00-16:00, ku turistët do të mundë të informohen lidhur me ofertat dhe pakot turistike që ofrohen në Komunën e Prizrenit. ajo ka shtuar se DTZHE do të menaxhojë këtë pikë informuese.
Kazaz ka theksuar se Prizreni vizitohet nga 100 mijë turistë në vit me qëndrim ditor, ndërkohë që numri i atyre që qëndrojnë me fjetje është më i ulët, shkruan sot Koha Ditore.
Në të njëjtën kohë ajo ka paralajmëruar se parashihet edhe zbatimi i një projekti në Prizren nga fondet e BE-së përmes AZhR Jug, në kuadër të cilit parashihet edhe vendosja e një pike të informimit për turistët në Prevallë.
Kuvendi i Komunës së Prizrenit në korrik të këtij viti pati miratuar Strategjinë për zhvillimin e turizmit për vitet 2019-2023. Zyrtarët e Ekzekutivit gjatë prezantimit të kësaj politike publike patën pohuar se me strategjinë synohet shtimi i numrit të turistëve dhe qëndrimit të tyre në këtë komunë, sikurse edhe rritja e investimeve dhe punësimeve në këtë sektor.
Në këtë dokument ndër të tjera shkruan se duhet rimodeluar Qendrën Informative të Turizmit. “Qendra Informative e Turizmit përbën njërën nga shërbimet më të rëndësishme të turizmit në një destinacion. Kjo shërben për t’i ofruar informacione fillestare vizitorëve dhe luan një rol kyç në krijimin e përshtypjeve të para tek ata. Nga takimet e zhvilluara me aktorë të turizmit është konstatuar që Qendra Informative e Turizmit në Prizren nuk funksionon në mënyrën më të mirë dhe si e tillë nuk arrin t’i përmbushë qëllimet e parapërcaktuara. Si rrjedhojë, kjo qendër parashihet të rimodelohet, duke u ndërmarrë hapat në vijim: Të ndërrohet lokacioni në një vend më të dukshëm; Menaxhimi t’i jepet një shoqate lokale, e cila i trajton barabar aktorët e turizmit; Të trajnohet drejtori dhe agjentët për mënyrën me të mirë të shkëmbimit të informatave; Të rregullohet orari i punës sipas nevojave të turistëve; Të pajiset me materiale promovuese dhe të sigurohet që ato shpërndahen falas; Të zhvillojë pyetësorë për t’u informuar rreth numrit dhe profilit të turistëve; Të ofrojë për shitje suvenire autentike të qytetit që i ndihmojnë të sigurojë qëndrueshmëri; dhe Të zhvillojë një uebsajt që e promovon turizmin në Prizren”, thuhet në Strategji./k.net