28-11-2024

Pizren: Administrohen provat e lëndës në gjykimin për korrupsion ndaj ish-drejtorëve komunal

Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren janë administruar provat e lëndës në gjykimin ndaj ish-drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Levent Kasemi, ish-drejtorit për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Fejzë Kabashi, si dhe ish-drejtorit për Kadastër dhe Gjeodezi, Refki Shaqiri, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Për të njëjtën vepër penale po akuzohen edhe ish-asamblistja e Kuvendit Komunal të Prizrenit, Ganimete Babuna, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha pyeti palët në procedurë se a kanë ndonjë propozim tjetër për dëgjim të dëshmitarëve para se të vazhdohet me administrimin e provave mirëpo as prokuroria e as mbrojtja nuk kishin propozime të tjera ndonjë dëshmitar eventual.

Pas kësaj, seanca vazhdoi me leximin e shkresave të lëndës ku në mesin e provave të administruara ishin: Kërkesa për shpalljen e tenderit për dhënien e lokaleve në shfrytëzim me qira pronë e KK Prizren, me numër të referencës 14-361 e datës 24.10.2018, lista e kritereve, lista e  komisionit për dhënien në shfrytëzim të pronës së komunës të datës 26.12.2018, procesverbali i  mbajtur me datë 26.12.2018, formulari i vlerësimit.

Po ashtu në seancën e sotme është lexuar edhe dosja e ofertës së të dëmtuarit Albert Doçi si dhe të ofertës së Fatmire Berishës si dhe Procesverbali i mbajtur nga mbledhja e komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës së Prizrenit, të datës 18.03.2019.

Gjithashtu Prokurori propozoi gjykatës që në këtë gjykim të shqyrtohet dhe analizohet si provë materiale edhe vendimi i KK Prizren, me numër të protokollit 001/011/116673 e datës 31.07.2018, për shpalljen e ankandit publik, ku është obliguar komisioni që të bëjë dhënien e pronës së paluajtshme të komunës në bazë të ligjit dhe rregullores për dhënien e në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme si dhe njoftimin mbi shpalljen e fituesve të tenderit publik të mbajtur me datë 17.01.2019, për lokalet pronë e KK Prizrenit, të cilat komuna e Prizrenit i jep në shfrytëzim me qira të cilat propozime i aprovoi kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha.

Mbrojtësi i të akuzuari Levent Kasëmi – av. Samedin Cena propozoi gjykatës që të administrohen si provë dy procesverbalet dhe atë të datës 14.01.2019 dhe e datës 03.10.2018. si dhe si provë të administrohen edhe: shënimi zyrtar, raport për mbylljen e rastit dhe dërgimin e lëndës në a/a, i departamentit për krime të rënda të Prokurorisë Themelore në Prizren me numër PPN/I.nr.153/2019, i datës 28.08.2019. Si dhe  një ankand publik me numër 01/2020, i përgatitur nga Kuvendi Komunal në Rahovec, për dhënien me qira të lokaleve ekonomike afariste e që edhe këto propozime i aprovoi kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2019 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, të pandehurit Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ares Shporta dhe Ganimete Babuna akuzohen se më 18 mars 2019, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Siç thuhet në aktakuzë, duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje, me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, dhe se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.

Në aktakuzë thuhet se duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi kishte kuptuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25 euro e 20 centë për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokal i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim prej 20 euro e 6 centë për m2.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja Fatmire Berisha nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale.

Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019 ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, por përkundër këtij fakti, komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019 ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.