Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim
Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është dënuar të martën me 18 vjet burgim për krime lufte nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale.
Gjykata ka thënë se akuza e trajtimit mizor është mbuluar tërësisht nga ajo e torturës dhe nuk është shqyrtuar më tej nga gjykata.
Prokuroria ka kërkuar dënim prej 28-vjetësh për Shalën.
Pjetër Shala, shtetas belg, i njohur më parë me nofkën “Ujku”, është deklaruar më parë i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Kryegjykatësja e Gjykatës Speciale, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë se Fabrika e dikurshme të Metalit në Kukës të Shqipërisë është përdorur prej UÇK-së – në periudhën maj 1998 deri në qershor 1999 – për rekrutim dhe logjistikë, midis tjerash.
Ajo ka thënë se gjykata ka marrë dëshmi të besueshme se ky objekt është përdorur për të ndaluar, marrë në pyetje dhe keqtrajtim të njerëzve që dyshohej se bashkëpunonin apo simpatizonin autoritetet serbe, apo nuk përkrahnin mjaftueshëm përpjekjet e UÇK-së.
“Shala ka marrë pjesë në transferimin nën rojë të njërit prej të ndaluarve në fabrikë, ka marrë pjesë në marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve, së bashku me anëtarë tjerë të UÇK-së. Shala ka qenë i pari që ka goditur disa të ndaluar. Njëri prej të ndaluarve tha se Shala e ka goditur me shkop bejsbolli dhe e ka akuzuar se ishte spiun”.