Një shtetas i Turqisë është arrestuar për plaçkitje në Prizren.
Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaban Osmanollaj, tha për portalin “Gazeta e Prizrenit” se i arrestuari M.B. nga Turqia, sot pak para orës 10, është futur me forcë në objektin e kompanisë për transfer të parave “Ria”, duke grabitur me forcë mbi 3.000 euro”.
I dyshuari duke përdorur forcën ka lënduar punëtoren e kësaj agjencie.
Pas një operacion-kërkimi në zonën përreth duke kontrolluar çdo rrugë dhe zonë të dyshimtë dhe gjatë kërkimit, policia ka gjetur një pjesë të parave rreth 1.200 euro në rrugë, ndërsa pjesën tjetër i dyshimti e kishte me vete.
Arrestimi i të dyshuarit është bërë rreth dy orë pas rastit.
“Duke u bazuar në informatat inteligjente dhe nga qytetarët ka arritur të lokalizoj vendin ku qëndronte i dyshimti dhe gjatë kontrollimit të një furgoni tip “Mercedes transporter”, ka zbuluar se i dyshimti ishte brenda së bashku me sasinë tjetër të parave të grabitura. Ky furgon ishte i parkuar në afërsi të tregut të gjelbër në Prizren dhe në bazë të informatave të marra i dyshimti kishte disa ditë që qëndronte i strehuar aty”, njoftoi zëdhënësi Osmanollaj,
I dyshuari ishte futur në vendin tonë me datën 10 mars 2020 dhe dyshohet edhe për një rast të vjedhjes në Prishtinë.
Në lidhje më këtë rast është informuar prokurori i Shtetit dhe me vendim të prokurorit i dyshimti ndalohet në mbajtje në afat prej 48 orë, për të zhvilluar hetimet në lidhje me rastin e grabitjes. Parat e gjetura të cilat ishin grabitur dhe dokumentet janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. /GazetaePrizrenit.net/