Plenkoviq takon shefin e inteligjencës ushtarake të Kroacisë për rastin e dy të arrestuarve për spiunazh
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka njoftuar për një takim me shefin e Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake, Ivan Turkalj, lidhur me hetimet ndaj një piloti kroat të arrestuar nën dyshimin se, së bashku me të dashurën serbe nga Kosova, kanë spiunuar për Serbinë.
Sipas autoriteteve kroate, piloti i KFOR-it dhe e dashura e tij janë dërguar në paraburgim nën dyshimet se, vite më parë, gjatë bllokadave në veri të Kosovës, kanë komunikuar informacione mbi planet e lëvizjeve të KFOR-it te Lista Serbe. Dyshohet se piloti ia ka treguar planet të dashurës, e cila më pas i ka kaluar autoriteteve serbe.
“Kam pritur drejtorin e Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake, gjeneralmajor Ivan Turkalj, për hetimet që po kryhen ndaj një zyrtari të Forcave të Armatosura të Kroacisë dhe një personi tjetër nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të spiunazhit. Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake, Zyra e Prokurorit të Shtetit e Republikës së Kroacisë, dhe institucionet tjera përgjegjëse janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur interesat e shtetit dhe sigurinë kombëtare”, ka shkruar Plenkoviq të martën në X.

Po ashtu, lidhur me rastin, autoritetet e Kosovës kanë bërë kërkesë zyrtare tek autoritetet kroate për t’ia siguruar provat.
Gjithashtu, Policia e Kosovës ka bastisur më 27 gusht shtëpinë në Mitrovicë të Veriut të të dyshuarës për rastin, e ku janë gjetur një sprej, disa gëzhoja dhe fishekë.