Plumbat s’e harruan rrugën – Policia ndalon dy të rinj në Prizren për të shtënat me armë
Një video e postuar në rrjete sociale në natën e ndërrimit të motmoteve më 1 janar 2024 u ka kthyer pasojat dy të rinjve nga Prizreni, të cilët menduan se e kaluan pa pasoja festën me armë, por tani po përballen me ligjin, raporton Gazeta Sinjali.
Pas më shumë se një viti e katër muajsh, Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren ka identifikuar të dyshuarit që ishin filmuar duke shtënë me armë nga vetura në rrugën “Ankara”.
Në pamjet e siguruara, shihet Ardit Krasniqi, rreth 26-vjeçar, teksa qëllon në ajër me armë zjarri, ndërsa pas hetimeve është zbuluar se arma i përkiste shokut të tij, Arsim Elshani, rreth 38-vjeçar.
Pasi u sigurua prezenca e të dyshuarve, ata janë intervistuar në prani të avokatëve. Krasniqi e pranoi se kishte shtënë me armë, ndërsa Elshani deklaroi se ia kishte dhënë përkohësisht shokut.
Pas intervistimit, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, janë kontrolluar shtëpitë e të dyshuarve. Në banesën e Elshanit, është gjetur dhe sekuestruar arma që dyshohet të jetë përdorur në incident.
Me vendim të prokurorit të shtetit, të dy janë ndaluar për 48 orë dhe janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Prizren.
Rasti është cilësuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje e paautorizuar e armës”.
Hetimet po vazhdojnë.