28-11-2024

Policët e zhgënjyer me pagat

Zyra e kryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, të mërkurën ka qenë e vërshuar nga ankesat e zyrtarëve policor dhe të stafit civil. Policët janë të zhgënjyer me pagat që kanë marrë dje e që tek disa nuk vërehet fare rritja.

Policia me ligjin e ri të pagave ka përfituar vetëm rritjen e pagës bazë, por të njëjtës i janë hequr ose ulur shtesat dhe rrezikshmëria që në realitet ai merr pagën e përafërt që ka marr deri më tani.

Zeqiri për IndeksOnline ka thënë se si sindikatë janë tejet të zhgënjyer me trajtimin që i është bërë policisë me ligjin e ri. Ai thotë se shtesat janë hequr dhe këtë muaj nuk kanë marrë fare për rrezikshmëri.

“Kemi pranuar shumë ankesa gjatë ditës nga policët dhe nga ata që kryejnë punë administrative. Tek disa vërehet një rritje simbolike e tek disa fare. Ne ende nuk po dijm sa do të jetë rrezikshmëria që u tha nga Ministria se do të paguhet në mars”, ka thënë Zeqiri.

IndeksOnline ka kontaktuar edhe me një zyrtar që punon si staf civil në polici i cili ka thënë se e meta e ligjit është mos nivelizimi i pagës për pozitat e njëjta në institucione.

Ai ka thënë se asnjë zyrtar i lartë nuk është i barabartë në ligjin e ri të pagave ku ka pozita të njëjta e mospërputhje të koeficientit.

“Një përkthyer në ministri merr pagë më të lartë se një përkthyes që punon në polici, ose një lektor në polici paguhet më pak se sa një lektor që punon në ministri. Kjo është e papranueshme dhe tejet zhgënjyese për ne stafin civil që bëjmë një punë shumë të madhe në polici”, ka thënë ai.

Ndërkohë Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se komisionet për përcaktimin e shtesave të parapara me këtë ligj dhe aktet nënligjore që derivojnë prej tij, tashmë janë themeluar dhe janë duke mbledhur të dhënat nga institucionet përkatëse lidhur me zyrtarët që mund/do të përfitojnë këto shtesa, përfshirë këtu komisionet për shtesën për kushte specifike të punës, shtesën për kushte tregu dhe shtesën për ekspertët.

“Përkundër punës intensive të komisioneve për përcaktim të shtesave, procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar, andaj njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e MF-së dhe MPB-së./IndeksOnline/

Asnjë koment

Comments are closed.