Policët “në dispozicion” të të dënuarit me burgim të përjetshëm, si e ndihmonin brenda burgut në Shqipëri
Operacioni “Trinomi” në Shqipëri zbuloi dhe emrat e 6 të dënuarve, mes tyre dhe me burgim të përjetshëm, të cilët kishin arritur të krijonin lidhjet me punonjës policie në burgun ku ata vuanin dënimin.
Një prej tyre ishte Arben Grori, i dënuar me burgim të përjetshëm, që vuan dënimin në burgun e Peqinit.
Nga dosja e operacionit të koduar “Trinomi” që çoi në arrestimin e 26 personave mësohet se një punonjës policie në Institucionin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale Peqin i jepte informata Arben Grorit për kontrollin e dhomave.
Gjithashtu “Arben Grori mbante celular dhe me telefonin e tij flisnin dhe persona të tjerë të cilët ishin të dënuar dhe vuanin dënimin në të njëjtin sektor të Peqinit” thuhet në dosjen e siguruar nga Ora News.
Ndërkohë një tjetër punonjës policie (R.D) sipas prokurorisë “komunikonte me Arben Grorin dhe familjarët e tij dhe më pas kryente kontrollin e automjeteve që këta të fundit kanë në përdorim me qëllim çaktivizimin e pajisjeve përgjuese dhe vëzhguese duke përdorur mjetet e punës“
Po kështu Arben Grori nga burgu i Peqinit komunikonte me telefon celular me të dënuarin Aleksandër Llanaj i cili vuan dënimin në burgun e Drenovës në Korçë.
Kush është Arben Grori?
Arben Grori, është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 1999 nga Gjykata e Pestë Penale e Milanos në Itali, vendim që u njoh dhe u la në fuqi më pas dhe nga Gjykata e apelit, po në Milano.
Grori u gjet fajtor për vrasjen e Zyberit, në një spital në Milano, ku ndodhej i shtruar. Grori e bënte fajtor Naim Zyberin për vrasjen e të vëllait, Artur Grori.
Vendimi i fajësisë dhënë nga drejtësia italiane ndaj Grorit, është njohur më pas nga gjykatat shqiptare dhe prej shumë vitesh, ai ndodhet prapa hekurave. /GazetaSinjali/
Lexo edhe: