Policia do të pajiset me kamera për trup – Projektligji s’e bind ekspertin e fushës: I mangët e i kopjuar
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës shumë shpejtë do të bëhen me kamera në trup, nëse Projektligji për Rregullat e trafikut rrugor merr dritën jeshile nga legjislativi. I njëjti Projektligj, u kundërshtua nga eksperti i fushës, të cilin e quajti të mangët dhe të kopjuar.
Gjatë diskutimit publik në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, kahas kësaj vërejtje, kërkuan që të specifikohet edhe çështja e trotineteve dhe limiti i shpejtësisë së tyre.
Eksperti i sigurisë rrugore, Nol Deda, tha se Projektligji për Rregullat e trafikut rrugor, është i pazbatueshëm në Kosovë, teksa kërkoi që të rikthehet sërish për diskutim.
“Në vitin 2016 është shkatërruar siguria me infrastrukturë. Shqipëria ka kode të sigurisë, që do të thotë i kanë dhënë jashtëzakonisht rëndësi. Ky ligj ka të bëjë më së shumti me Policinë, pra është 90 për qind i zbatueshëm nga Policia. Unë e di se ky ligj është marrë në Maqedoni dhe është përkthyer, sepse unë kam doktoruar atje. Unë e di që këta thonë e kemi marrë në Slloveni, por jo. Ju lus si ekspert i fushës ta riktheni ligjin e sigurisë. Çdo nen duhet ta ketë arsyeshmërinë teknike, është i pazbatueshëm, për ne është i pazbatueshëm”, tha Deda.
Por kundër Dedajt reagoi kryetarja e këtij Komisioni, Fitore Pacolli. Mohoi se Projektligji është marrë nga shteti fqinj.
“Vetëm për një sqarim nuk është marrë prej Maqedonisë së Veriut, kemi diskutuar rregullat e direktivave të BE-së, pra është hartuar nga grupi punues”, tha Pacolli, teksa shpjegoi edhe rëndësinë e Projektligjit në fjalë.
“Për herë të parë do të përdoret sistemi i videoincizimeve nga Policia e Kosovës, pra do të dëshmohen rastet me video. Ky projektligj është voluminoz më duhet kohë për ta lexuar. E rregullon shpejtësinë e ngasjes, moshën e lejuar, çiklistët e shumë të tjera”, tha ajo.
E Faik Sylejmani nga Byroja Kosovare e Sigurimit tha se çështjen që e kanë trajtuar ka qenë edhe çështja e trotinetëve si fenomen i ri.
Kërkoi që të sqarohet ky term dhe të kufizohet shpejtësia e tyre.
“Në anën tjetër shpejtësia është specifikuar në draft, pra është mirë që të vendoset një kufizim i shpejtësisë. Si pjesë tjetër që është me rëndësi te trajtohet është pjesa e shiritit të qarkullimit, dhe në cilat vende lejohet ngasja e trotinetit. Është shumë e rrezikshme, ngasja në rrugë kryesore, është mirë që të bëhet një shirit për çiklistë. Si pikë tjetër që besojmë se duhet të rishqyrtohet janë gjobat që janë parë, për aksidentet me lëndime të lehta trupore. Në bazë të të dhënave që kemi si Byro për dëmet jomateriale dhe ato të lëndimeve të lehta trupore, vlerësojmë se vlera e gjobës duhet të jetë më e lartë. Është pak e vështirë të dihet nga joprofesionistë se një dritë e veturës, kushton 800 euro apo 1 mijë euro, pra neni 211. Edhe si pikë tjetër që vlerësojmë është tek pjesa e transportit me rimorkio, shpesh hasim në praktikë që bëhen aksidente për personat që ulën në rimorkio”, tha Sylejmani.