Policia e Kosovës paralajmëron shoferët: Mjegulla po krijon rrezik në komunikacion – kujdes
Policia e Kosovës ka bërë një paralajmërim për të gjithë pjesëmarrësit në trafik lidhur me shtimin e prezencës së mjegullës në zonat me lartësi të ulët gjeografike, duke theksuar se kushtet e tilla paraqesin rrezik të shtuar për drejtuesit e automjeteve.
Sipas njoftimit, mjegulla mund të ndikojë në zvogëlimin e dukshmërisë dhe të krijojë iluzione optike që mund t’i shtyjnë shoferët të mendojnë se po lëvizin më ngadalë sesa realisht. Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të jenë të kujdesshëm, të mbajnë vëmendjen dhe të shmangin shpejtësinë e lartë.

Në njoftim gjithashtu theksohet rëndësia e përdorimit të dritave të duhura.
Aktivizimi i dritave të mjegullës kur dukshmëria është e ulët,
Përdorimi i dritave të shkurtra gjatë ngasjes,
Shmangia e dritave të gjata, të cilat mund të reflektojnë dhe të përkeqësojnë dukshmërinë.
Shoferët këshillohen të mbajnë nën kontroll shpejtësinë, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të qëndrojnë në krahun e djathtë të rrugës gjatë mjegullës së dendur.

Ky apel i Policisë së Kosovës vjen në kuadër të parandalimit të incidenteve në trafik, në periudhën kur kushtet atmosferike pritet të jenë të paqëndrueshme dhe me mundësi të shtuar të mjegullës në shumë zona të vendit.

