Policia e Kosovës: Procesi zgjedhor kaloi i qetë e pa incidente madhore
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të dielën janë iniciuar dy raste për “venim të fshehtësisë së votimit”, një në fshatin Bare të Mitrovicës së Jugut dhe një në Kllokot, ndërsa rastet mbi dyshimet për “fotografim të votës”, siç ka thënë Policia me autorizim të prokurorëve kompetentë kanë mbetur si “shënim zyrtar”. Janë raportuar 11 raste të tilla. Policia ka thënë se në përgjithësi i tërë procesi zgjedhor ka kaluar i qetë e pa incidente madhore.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, ka iniciuar dy (2) raste ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’, njëri në fshatin Bare – Mitrovicë Jugu dhe tjetri në Kllokot – DRP Gjilan, përderisa rastet mbi dyshimet për ‘fotografim të votës’, me autorizim të prokurorëve kompetent kanë mbetur si ‘shënim zyrtar’ njëmbëdhjetë (11) raste/informata. Lidhur me rastet personat e shoqëruar në stacione policore, pas intervistimit me autorizim të prokurorëve kompetent janë liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Po ashtu janë trajtuar edhe 10 informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me procesin zgjedhor, ka thënë Policia. Por, është vlerësuar se nuk ka elemente që ndërlidhen me vepra penale.
E për rastin e të shtënave me armë në Komoran, ku është dëmtuar një veturë, janë shoqëruar dy persona, ndërsa është thënë se nuk është i ndërlidhur me procesin zgjedhor.
“PK-ja me autorizim të prokurorisë kompetente është duke kryer kontrolle si dhe duke vazhduar me hetime intensive për rastin, përderisa personat e shoqëruar pas intervistimit janë liruar. Po ashtu, janë trajtuar rreth dhjetë (10), informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me procesin zgjedhor, për të cilat në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetent është vlerësuar se nuk ka pasur elemente apo dëshmi që ndërlidhen me vepra penale dhe janë evidentuar vetëm si informacion. Policia e Kosovës, vlerëson se plani policor është realizuar me sukses, falë bashkëpunimit ndërinstitucional, falë punës dhe angazhimeve të zyrtarëve policorë si dhe kulturës së lartë të treguar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, andaj falënderon të gjitha institucionet, qytetarët dhe mediat për bashkëpunim e treguar më PK-në”, ka thënë Policia e Kosovës.