Policia e Prizrenit dhe Kukësit diskutojnë për lehtësimin e procedurave të kontrollit për turistë
Në kuadër të bashkëpunimit dhe parandalimit të krimit në nivel rajonal, sot në Morinë, Republika e Shqipërisë, është zhvilluar një takim ndërmjet drejtorit rajonal të Prizrenit kolonel Faton Alija, dhe drejtorit rajonal të Kukësit Zef Laskaj.
Sipas njoftimit, takimi kishte karakter bashkëpunues në disa fusha, e në veçanti shkëmbimi i informacioneve për disa nga rastet e fundit që kanë ndodhur në dy rajonet, Prizren dhe Kukës. Gjatë këtij takimi palët u njoftuan mbi zhvillimet e planit operativ “Sezoni veror 2019”, masat e ndërmarra dhe ngritja e shërbimeve efikase për të qenë në shërbim të qytetarëve në të dy anët e kufirit.
Përveç angazhimeve në parandalimin e krimeve të ndryshme, u diskutua edhe për komunikacionin rrugor dhe fluksin gjatë verës, për pritjen e bashkatdhetarëve, lehtësimin e procedurave të kontrollit dhe turistët nga Kosova të cilët shfrytëzojnë aksin rrugor Morinë-Kukës.
Në këtë aks rrugor për shkak të punimeve që janë duke u zhvilluar është kërkuar nga Policia e Shqipërisë që të apelohet te drejtuesit e mjeteve nga Kosova që të jenë të kujdesshëm, pasi për shkak të pengesave në rrugë, në disa vende ka ngushtime të rrugës siç janë urat dhe pjesët tjera në ndërtim e sipër, andaj duhet të jenë të kujdesshëm në shpejtësinë e lëvizjes për të evituar aksidentet rrugore të mundshme.
Në fund palët ranë dakord që edhe në të ardhmen të zhvillohen takime të tilla, për të qenë në shërbim dhe sa më afër qytetarëve.