Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e Edon Bytyqit, i dyshuar për raste mashtrimi
Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për lokalizimin dhe arrestimin e Edon Bytyqit, i cili dyshohet për dy raste të mashtrimit në rajonin e Mitrovicës.
Sipas njoftimit zyrtar, Bytyqi dyshohet se më herët ka kryer së paku edhe 14 vepra të tjera penale të mashtrimit në territorin e Republikës së Kosovës.
I dyshuari është nga fshati Arllat, ndërsa sipas të dhënave të policisë, vendndodhjen aktuale e ka në Republikën e Bosnjë e Hercegovinës, prandaj ndaj tij është paraqitur kallëzim penal në mungesë.
“Duke marrë parasysh se ai ka urdhër-arreste aktive edhe për vepra të mëhershme penale dhe ekziston mundësia e lëvizjes së tij në shtetet e rajonit, Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët bashkëpunim dhe për çdo informatë që posedojnë ta njoftojnë policinë me qëllim të lokalizmit dhe arrestimit të tij”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë apel që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e mashtrimeve të kësaj natyre, duke kërkuar që çdo dyshim ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor ose përmes kontakteve:

+383 28 532 363
info@kosovopolice.com
Aplikacioni “Lajmëro Policinë”