Policia konfirmon përleshjen e asamblistit të PDK-së me zyrtarin e tenderëve në Prizren
Policia e Kosovës e ka konfirmuar përleshjen fizike ndërmjet asamblistit të Partisë Demokratike të Kosovës, Getoar Besimit dhe zyrtarit të Zyrës së Prokurimit të komunës, Nezir Rexhepit.
Ndonëse kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka pretendoi se zyrtari Rexhepi është sulmuar nga asamblisti i PDK-së, Policia ka thënë se të dy personat janë të dyshimtë lidhur me rastin.
“Me inicimin e prokurorit, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt sepse të dy personat për momentin janë si të dyshimtë për involmim në këtë rast. Sipas informatave zyrtare, nuk ka të bëjë me çështje zyrtare ky rast”, ka thënë për Insajderin, Shaban Osmanollaj, zëdhënës i Policisë së Kosovës në Rajonin e Prizrenit.
Ai ka thënë se të dy personat “kanë sulmuar njëri-tjetrin dhe janë të lënduar shumë pak”.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, aludoi se arsyeja e sulmit mund të kenë qenë tenderët. Ai ka thënë se kompania e cila është në pronësi të familjes së Getoar Besimit, është në konkurrencë për të përfituar projekte nga Komuna e Prizrenit.
“Asamblisti i PDK-së, Getoar Besimi sulmon zyrtarin e Prokurimit në Prizren”
“Ky sulm është tentim për të ndikuar drejtpërsëdrejti në punën dhe procedurat e Zyrës së Prokurimit, pasi që kompania e cila është në pronësi të familjarëve të Getoar Besimit është në konkurrencë për të përfituar projekte komunale, për të cilat tashmë janë hapur procedurat e prokurimit”, ka thënë Haskuka.