Policia e Kosovës ka ndaluar dhe shoqëruar sot disa pelegrinë serbë në pjesën e Shatërvanit, në Prizren, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se personat në fjalë janë ndaluar dhe kontrolluar nga policia në këtë lokacion të frekuentuar, ndërsa më pas janë shoqëruar me disa vetura policore në stacionin më të afërt policor.
Arsyeja e ndalimit dhe detajet lidhur me këtë veprim të Policisë ende nuk janë bërë të ditura, por Gazeta Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për një veprim të planifikuar të organeve të rendit.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka arrestuar dje në Gjakovë, katër serbë pasi gjatë një kontrolli në bagazhin e automjetit të tyre me targa të Serbisë, janë gjetur dhe sekuestruar dy thika dhe një sëpatë.
Sipas raportit të Policisë, të arrestuarit janë dërguar në mbajtje pas konsultimit me prokurorin, shkruan Gazeta Sinjali.
Ky rast ka shqetësuar autoritetet, dhe si pasojë, një mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurisë është mbajtur me kërkesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në këtë mbledhje u diskutua për gjendjen e sigurisë në vend dhe përpjekjet destabilizuese të Serbisë, duke përfshirë incidentin në Gjakovë.