Policia nis zbatimin e planit “Goditja”
Policia e Kosovës, me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, respektivisht ruajtjen e rendit e qetësisë publike, ka hartuar dhe që nga sonte ka filluar së zbatuari një plan operativ i cili do të shtrihet në tërë vendin.
Detyrat që parashihen të realizohen gjatë zbatimit të planit operativ ‘Goditja’, janë shtimi i aktiviteteve/patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate, e më shumë qytetarë që vizitojnë ato.
Policia do të trajtojë në aspektin policorë çdo informatë nga qytetarët dhe informatat inteligjente, me qëllim të parandalimit të rasteve e akteve kriminale. Do të shtohen kontrollet policore ndaj personave e automjeteve me qëllim të gjetjes dhe konfiskimit të gjërave të ndaluara me theks të veçantë armëve dhe mjetet tjera të rrezikshme për jetën.
Policia, duke e pasur parasysh se suksesi i operacioneve policore, varet nga bashkëpunimi me qytetarët, fton të gjithë qytetarët që për çdo gjë të dyshimtë që vërejnë të lajmërojnë policinë sepse çdo informatë e dhënë me kohë, mund të parandalojë një akt kriminal ku mund të rrezikohet jeta dhe siguria publike.
Policia mbetet e përkushtuar në kryerjen e detyrave me profesionalizëm dhe integritet me qëllim të arritjes së qëllimeve strategjike dhe ofrimit të një shërbimi sa më efikas për qytetarët dhe vendin.