17-11-2025

Policia njofton rreth largimit  të arinjve nga fshati Bellobrad i Dragashit

Prizren, 17 nëntor 2025 – Ditëve të fundit në fshatin Bellobrad dhe rrethin janë paraqitur disa arinj, gjë që ka shkaktuar shqetësim tek banorët e zonës, sidomos tek prindërit e nxënësve të shkollës së fshatit. Pas pranimit të një ankese dhe kërkese për intervenim nga drejtori i shkollës së fshatit, policia ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme.

Policia, konkretisht Stacioni Policor në Dragash, fillimisht ka shtuar patrullimet policore në zonën e fshatit Bellobrad dhe ka njoftuar për bashkërendim institucionet përgjegjëse:
– Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës,
– Drejtorin e Parkut Kombëtar “Sharri”,
– Drejtorin Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural dhe
– Shoqatën e Gjuetarëve “Dhia e Egër” nga Dragashi.

Nga Shoqata e Gjuetarëve “Dhia e Egër” është konfirmuar se aksioni për largimin e arinjve është përfunduar me sukses. Arinjtë janë kthyer në arealin e tyre natyror në pyje dhe janë ushqyer në vendbanimin e tyre, duke siguruar që të mos rikthehen në zonat e banuara.


Policia informon edhe njëherë banorët e fshatit Bellobrad dhe rrethin se arinjtë janë larguar dhe zona është e sigurt për qytetarët.

Asnjë koment

Comments are closed.