Policia: Nuk ka dërgim të Njësisë Speciale në Veri
Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë, mbi zhvillimet në fushën e sigurisë.
Policia ka deklaruar se mbetet e angazhuar në zbatimin e ligjit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Policia shtoi se janë duke përcjellur zhvillimet në veri dhe po bën vlerësime të situatës.
PK gjithashtu ka njoftuar se nuk ka përfshirje e as dërgim të njësiteve speciale në veri të Mitrovicës.
Kjo është deklarata e parë e Policisë:
Referuar situatës dhe zhvillimeve aktuale në vend, Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, bazuar në aktet ligjore dhe kushtetuese, ka planifikimet e saj operacionale për ruajtjen e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës, lëvizjen e lirë si dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në gjithë vendin.
Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë zhvillimet në vend, përfshirë zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës dhe bënë vlerësime profesionale konform të cilave ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për tu përballur me situatën e sigurisë dhe reagimin profesional në rast të cenimit të sigurisë qytetare apo rendit kushtetues.
Policia e Kosovës, sipas nevojës dhe vlerësimeve operacionale do të angazhojë personelin e saj, me qëllim të kryerjes së detyrave dhe autorizimeve ligjore, në funksion të garantimit të sigurisë së përgjithshme në vend si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.
Njësitet policore të rendit publik dhe ato kufitare sipas detyrës zyrtare janë duke qarkulluar/lëvizur varësisht nga angazhimet dhe detyrat policore, mirëpo nuk ka ndonjë përfshirje apo dërgim të njësiteve speciale në veri të Mitrovicës, ashtu siç është publikuar në media.