Policia paralajmëron anulimin e shëtitjes së gjimnazistëve të Prizrenit në Brezovicë
Policia në Prizren ka paralajmëruar anulimin e shëtitjes njëditore të nxënësve të shkollave të mesme të Prizrenit, për në Brezovicë, që është paraparë të mbahet nesër (mëngjesin e të shtunës, me 22 dhjetor), transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
Drejtori i policisë për rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, ka konfirmuar se paraprakisht ka marrë një njoftim nga drejtori i Arsimit në Prizren, Skënder Susuri , për një organizim të shëtitjes një ditore, por pa pëlqimin e organeve dhe vetëm me iniciativën e nxënësve.
“Për shkak se ka shkelje të procedurave, kemi urdhëruar policinë të bëjë kontrollin nëse autobusët kanë pëlqim për një organizim të tillë”, ka thënë ai për “GazetaePrizrenit.net”.
Drejtues të gjimnazit “Gjon Buzuku” kanë thënë se shkolla nuk ka organizuar kurrfarë shëtitje.
Burime të portalit “GazetaePrizrenit.net”, konfirmojnë se disa nxënës në bashkëpunim me agjenci turistike edhe këtë vit kanë shpërndarë informacione për një organizim të tillë, duke mbledhur nga 7 euro për një biletë kthyese në Brezovicë.
Një mësimdhënës, me kusht anonimiteti, ka treguar se ka marrë disa telefonata nga prindër të shqetësuar të vajzave, të cilët janë interesuar nëse shëtitjen po e organizonte shkolla.
Në biletë, shënohet se nisja do të bëhet në ora 07:00 dhe kthimi në 16:00. Vendtakimi do të bëhet tek stacioni i autobusëve, por nuk shënon se kush është organizatorë.
Organizime të tilla ka pasur edhe më herët, prandaj mbetet në përgjegjësinë e organeve për ta bërë zbardhjen se kush qëndron prapa tyre./GazetaePrizrenit.net/