Ponte humb nga Prishtina, Rahoveci mund Feronikelin
Prishtina e Rahoveci kanë shënuar fitore në xhiron e 11-të në Superligën e Kosovës në basketboll, duke e mposhtur Ponte Prizrenin respektivisht Feronikelin.
Sigal Prishtina ka mundur Ponte Prizrenin me rezultat 72:88 (17:19, 19:17, 15:26, 21:26), në ndeshjen e fundit të xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Takimi ka qenë shumë interesant, ku çerekun e parë fitojnë mysafirët 17:19, derisa vendësit u kundërpërgjigjën në periodën e dytë që e fituan 19:17, për të shkuar në pushim me rezultat 36:36. Megjithatë, në pjesën e dytë, prishtinasit ishin më të mirë. Dallimi u bë në periudhën e tretë, që e fitojnë bardhekaltrit 15:26 dhe atë të fundit 21:26, për të fituar në fund 72:88.
Malcom Canada shënoi 20 pikë për Ponte Prizrenin, derisa Urim Zenelaj kishte 15 pikë dhe 23 kërcime.
Te Prishtina më të mirët ishin Fahro Alihoxhiq me 26 pikë e 14 kërcime, Jonathan Wade me 19 pikë, 6 kërcime dhe Mikaile Tmusiq me 17 pikë, 4 kërcime dhe 7 asistime.
Prishtina tani ka gjashtë fitore dhe tri humbje, kurse Prizreni pesë fitore dhe pesë humbje.