Për skuadrën e Yllit, kjo ishte fitorja e gjashtë në po aq ndeshje të zhvilluara këtë vit, duke u bërë ekipi i vetëm i pamposhtur në pjesën e dytë të kampionatit. Pas fitores ndaj Ponte Prizrenit, Ylli ka 38 pikë, derisa Ponte ka dy pikë më pak dhe regjistroi humbjen e tretë në shtatë ndeshjet e fundit, transmeton Koha Ditore.
Valon Bunjaku dhe Jameel McKay ishin më të merituarit për këtë triumf të Yllit, pasi ndeshjen e mbyllën me “double-double”.
McKay pati 24 pikë e 13 kërcime, derisa Bunjaku shtoi 24 pikë dhe 11 kërcime. Te skuadra e Ponte Prizrenit, katër lojtarë e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore.
Andre Wolford me 22 pikë të shënuara ishte më efikasi, i përcjell nga Ty Nichols me 21 pikë, tetë kërcime e shtatë asistime. Kjo xhiro do të mbyllet me dy ndeshjet që do të zhvillohen të shtunën.
Prej orës 17:00, do të përballen Feronikeli – Lipjani, kurse dy orë më vonë do të luhet derbi ndërmjet Pejës dhe Bashkimit.
Rahoveci pushon në këtë xhiro. Kjo është xhiroja e fundit përpara “Final 8” të Kupës së Kosovës që nis javën e ardhshme dhe mbahet në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.