23-11-2024

Pranon fajësinë, dënohet me kusht i akuzuari që kishte vjedhur shërbimet e KEDS-it

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka shqiptuar dënim me tre muaj burgim me kusht për të akuzuarin për veprën penale vjedhje të shërbimeve, Adem Krasniqi.

Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën një vjeçare, i akuzuari Krasniqi, nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Lulzim Paçarizi, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet.

Foto 29.09.2020

Pas kësaj, i akuzuari Krasniqi, ka thënë se ndjehet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur, duke shtuar se veprën penale e ka kryer për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, mbajtës i familjes, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurorja Mone Syla, duke shtuar se pranimi i fajësisë është bërë me vetëdije dhe vullnet të plotë si dhe ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës, duke kërkuar nga gjykata që të akuzuarin ta dënojë sipas ligjit.

Lexo edhe:

Treni në Prizren (Foto nga viti 1977)

Paraprakisht, prokurorja Syla, ka bërë edhe rikualifikimin e veprës penale nga “vjedhje e shërbimeve komunale”, nga neni 320, paragrafi 1, i Kodit të vjetër Penal, në “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi 6, lidhur me paragrafin 1, të KPRK-së, me arsyetimin se Kodi i ri Penal është më i favorshëm për të akuzuarin.

Në seancën e së martës ka qenë prezentë edhe përfaqësuesja e të dëmtuarës KEDS, Arjana Mula, e cila nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë, duke deklaruar se i bashkëngjitet ndjekjes penale, si dhe parashtron kërkesë pasurore juridike.

Gjyqtari Paçarizi, të akuzuarin e ka obliguar t’i paguaj shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro në total.

Ndryshe, me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 29 mars 2019, Adem Krasniqi, akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 13 shtator 2018, në shtëpinë e tij në fshatin Drenoc, Komuna e Malishevës, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për energji elektrike të Republikës së Kosovës, ka shfrytëzuar energjinë elektrike, duke u lidhur direkt në rrjetin elektrik përmes kabllos dhe me këto veprime e ka pamundësuar regjistrimin e saktë të energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS–Divizioni në Gjakovë i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 105.28 euro. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.