Pos fushave të tjera, gjatë viteve të ’90-ta të fundshekullit XX, pushteti serb nuk e kurseu as shëndetësinë. Diskriminimi ndaj profesionistëve shëndetësorë dhe pacientëve shqiptarë ishte i dukshëm në institucionet publike shëndetësore, të cilat drejtoheshin nga serbët, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Popullata shqiptare, gjatë kësaj kohe kishte reduktuar dukshëm vizitat në institucionet publike, pasi kishte frikë nga diskriminimi i personelit serb. Profesionistët shqiptarë, që në këtë kohë punonin në institucionet publike (numri i të cilëve ishte më i madh në raport me komunitetet tjera) ishin të vetëdijshëm për diskriminimin nga personeli serb, andaj bënë tërë atë që mundën në mënyrë që pacientëve t’u ofrojnë shërbimet shëndetësore të nivelit të duhur, veçanërisht në rastet e hospitalizimit në spitalin publik.
Kjo periudhë karakterizohet me rrënimin e jetës institucionale në Kosovë, me kufizimin dhe reduktimin e dhënies së shërbimeve shëndetësore, me maltretime, rrahje, plagosje, helmime të popullatës shqiptare dhe vrasje.
Sindikata e Pavarur e Shëndetësisë (SPSH) organizoi profesionistët shëndetësorë me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të tyre. Sindikata rezistoi fuqishëm ndaj represionit të asaj kohe, kështu që përveç çështjeve sindikale organizoi dhe motivoi profesionistët shëndetësorë për kujdes të shtuar ndaj pacientëve shqiptarë si në institucionet publike ashtu edhe në ato private.
Helmimet dhe gjendja e vështirë në Spitalin e Prizrenit
Në protestat dhe demonstratat paqedashëse të shqiptarëve, në muajin mars të vitit 1989 dhe shkurt-mars 1990, nga ana e forcave ushtarake serbe me armë zjarri janë plagosur shumë qytetarë. Në shërbimin kirurgjik të Spitalit në Prizren janë operuar 17 vetë, ndërsa 8 kishin marrë plagë vdekjeprurëse. Mes tyre ka pasur fëmijë 12 vjeçar.
Sipas mjekëve shqiptarë, çdo pacient që kishte ardhur i gjallë në spital edhe kishte shpëtuar, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Dhuna e terrori vazhdoi në formë tjetër nga regjimi totalitar dhe në pranverën e vitit 1990, kur u helmuan nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.
Në Spitalin e Prizrenit janë hospitalizuar dhe trajtuar 650 vetë-pacientë. Të helmuarit e parë ndihmë kërkuan nxënësit e fshatit Kobaj, e pastaj ata të Suharekës, Lipjanit, Ferizajit, etj. (Revista “Acta Medica Dardanica” fq. 206, viti 1995, revistë e Shoqatës së Mjekëve të Kosovës, Dega-Prizren).
Në prag të festimit të njëvjetorit të Kushtetutës së tankeve, me 27 mars 1990, Serbia solli në Prizren 19 mjekë dhe personel tjetër shëndetësorë (nga Zajeçari dhe Bori).
Ishte koha kur në Spitalin e Prizrenit nga reparti pediatrik dhe pullazi i spitalit gjuajnë me armë zjarri dhe me gaz lotsjellës përreth objektit. /GazetaePrizrenit.net/
Nesër shkrimi i radhës me titull “Imponimi i masave të dhunshme në Spitalin e Prizrenit pas vitit 1990”