23-11-2024

Prapaskenat e zgjedhjes së Osmanit- Mesazhe, aderime, huqje në protokoll e befasi

Vjosa Osmani Sadriu u bë presidentja e dytë grua në historinë e Republikës së Kosovës.

Më të hyrë në sallën plenare Kurti e Osmani e morën vëmendjen e të gjithëve.

Marrëveshja që kishin lidhur në fushatë zgjedhore duket që në seancën e së dielës do merrte epilog.

Meqë Kurti është tashmë kryeministër, Osmani për disa orë do zgjidhej presidente, ashtu siç ishte planifikuar nga të dyja palët.

Por që të ndodhte një gjë e tillë nuk ishte edhe aq e thjeshtë pasi disa vota nuk ishin të sigurta.

Një ditë me parë në protagonistë të seancës u kthyen Adem Hoxha nga komuniteti goran e Fadil Gashi nga Iniciativa Rome nga të cilët varej kuorumi për zgjedhjen e presidentes e të cilët nuk ishin në sallë.

Por nuk shkoi shumë e Gashi u paraqit në sallën e kuvendit.

Mirëpo jo edhe Hoxha.

Ky i fundit erdhi në kuvend por së pari kreu disa telefonata.

E komunikimin në telefon e vazhdoi edhe pasi që erdhi në sallë.

Madje në mesin e atyre me të cilët kishte shkëmbyer mesazhe ishte edhe kryeministri i vendit Albin Kurti.

Pak minuta para se të shkonin në sallë Hoxha ndoshta njoftohej për kohen se kur do të duhej të gjendeshin aty.

Dhe në kohë ai u paraqit duke zënë ulësen e tij.

Hoxha u mbajt nën vëzhgim pothuajse gjatë gjithë seancës.

E në pjesën tjetër të sallës së kuvendit u panë edhe votat tjera për presidenten.

Ishte vetë Kurti që solli në sallën e Kuvendit një nga deputetet e PDK-së.

Adelina Grainca më pas u kuptua se kishte kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje dhe do ishte një votë më shumë për Osmanin.

Ajo zuri vend në rreshtin e dytë të deputetëve, pranë Avni Deharit.

Ndërkohë ata që nuk lëvizen nga salla ishin deputetët e LDK-së.

Të 13-tit, qëndruan në sallë ani pse 3 prej tyre nuk votuan.

Avdullah Hoti, Agim Veliu e Driton Selmanaj nuk lëvizen nga vendi kur iu thirren emrat për votim.

E pas tyre, shumicën e kohës e vetme po qëndronte deputetja Albena Reshitaj.

Ajo qëndroi në sallë ani pse u tha se aty ishte pa vullnetin e partisë së Haradinajt.

Në dy Osmani nuk ia doli të sigurojë 80 vota, por në të tretin ajo e arriti qëllimin e saj.

Në herën e 61-të kur Sali Zyba, nga Vetëvendosje lexoi emrin e saj u dëgjuan duartrokitjet në sallë.

Këtu nuk munguan as fotografitë e deputetëve me presidenten e re.

Sepse tashmë dihej, Vjosa Osmani Sadriu u bë presidentja e gjashtë në historinë e Kosovës që nga paslufta.

E numërimi vazhdoi deri tek numri 71. Kaq vota mori Osmani Sadriu që u bë presidentja e dytë grua e Republikës së Kosovës.

11 ishin të pavlefshme, 4 e votuan kundër kandidatin e saj teksa numri i deputetëve që morën pjesë në votim ishte gjithsej 82.

Në sallë presidentes së re ju soll edhe karrigia, teksa nuk munguan lulet.

Por duket që krye kuvendari bëri një gabim në rrjedhën e protokollit.

Siç e do edhe rendi Osmani mbajti një fjalim në foltoren e kuvendit si presidente.

E më pas u urua edhe nga bashkëpunëtori i saj i afërt, Albin Kurti.

Pak minuta pas përfundimit të seancës ku u votua nga të zgjedhurit e popullit si shefe e shtetit, Vjosa Osmani mori detyrën nga ushtruesi i detyrës, Glauk Konjufca.

Ajo u rikthye në Zyrën e Presidencës pas dy jave./Gazeta Blic

Asnjë koment

Comments are closed.