24-11-2024

Prapaskenat në zgjedhjet e LDK-së në Prizren

Kur në disa nëndegë të degëve të LDK-së në nivel vendi kishte shpërthyer konfrontimi, LDK-në në Prizren e karakterizonte qetësia dhe gara korrekte.

Për katër vite LDK-në në Prizren e kishte udhëhequr Haxhi Avdyli, i cilësuar si politikan modern. Depërtimi i shpejt i Avdylit brenda LDK-së në Prizren, kishte ngjallur një grup kundërshtues brenda këtij subjekti politik. Tentativat e Avdylit për transformimin e degës përcilleshin me vështirësi. Mbase, mund të themi se për katër vite Avdyli kishte arritur që të ruante bazën e elektoratit në një kohë kur partitë tjera ishin në ‘gjahë’ për t’ia marr votuesit në çfarëdo mënyre. Gjithsesi, LDK-ja doli keq në zgjedhjet e fundit lokale, dhe Avdyli ndryshe nga Kryetarët paraprak, kishte zgjedhur që të jepte përgjegjësi e llogari politike duke mos kandiduar për një mandat të dytë. 04 Online ka mësuar nga burime të sigurta të afërta me Avdylin se ai ishte kategorik për të mos kandiduar, si sinjal politik brenda LDK-së që humbësi nuk duhet të rikandidoj. Madje, Haxhi Avdyli këtë e bëri publike edhe përmes një postimi në facebook.

Lakimi i emrit të Hatim Baxhakut për të parin e LDK-së?

Hatim Baxhaku njihet si një kuadër kredibil i LDK-së në Prizren dhe jo vetëm. Ai në momentin e fundit zgjodhi të mos bëhej Nënkryetar i Komunës së Prizrenit për shkak të parimeve në marrëveshje. Dhe, menjëherë pas kësaj ai u pa si emri më i përshtatshëm për ta drejtuar LDK-në, ndonëse nuk i’a kishte dalur të fitonte për Kryetar Komune, madje as të hynte në balotazh. Përkundrejt këtyre zhvillimeve, Baxhaku shihej si njeriu më i përshtatshëm. Sa më shumë që afrohej kuvendi, aq më i vogël ishte interesimi i Baxhakut, i vedijshëm se LDK-ja në Prizren kërkon shumë punë e shumë përpjekje. Duket se vet Baxhaku nuk e kishte parë veten si njeriun e duhur për një momentum si ky i krijuar brenda LDK-së në Prizren. Andaj, Baxhaku hoqi dorë. Por ai ishte pro një kandidati tjetër, për të cilin do të shkruajmë në vijim.

Anton Quni vs Driton Selmanaj – Përballje titanësh

Paralajmërimet se Quni dhe Selmanaj do të kandidojnë për të parin e LDK-së në Prizren, kishte frymëzuar anëtarësinë, mbase edhe elektoratin e fjetur. Njëri ish-komandant në luftën e UÇK-së, deputet në Parlamentin e Kosovës, mbajtja mend e replikave me Kadri Veselin e Hashim Thaçin, ishin disa motive që elektoratin e LDK-së e kishin zgjuar nga gjumi, se në partinë e tyre po vijnë ditë të mira.

Nga ana tjetër Driton Selmanaj një politikan reformator, modern dhe mbi të gjitha këmbëngulës në idetë e tij. Depërtimi i shpejt në politikë, ishte një tregues se Selmanaj është një kalibër i respektuar politik. Ndonëse, në njëfar mënyre ishte akuzuar se nuk ka njohuri për strukturat dhe elektoratin e LDK-së në Prizren, si duket ka mjaftuar përvoja e tij një mujore në zgjedhjet e fundit lokale, i cili ishte udhëheqës i Shtabit Zgjedhor.

Domethënë, Quni e Selmanaj ishin dy kandidatë që për elektoratin e LDK-së do të premtonin ditë të mira.

Ndarje interesante e elektoratit, kush ishte pro Anton Qunit e kush pro Driton Selmanajt?

04 Online ka mësuar nga burime të sigurta brenda LDK-së në Prizren se shpallja e kandidaturave nga Quni e Selmanaj, shumë nga anëtarët e këtij subjekti politik i kishte vendosur në pozicion të vështirë. Në fillim ishte krijuar përshtypja se Haxhi Avdyli, Hatim Baxhaku, Haziz Hodaj e Fatmir Memaj janë bashkë si ekip, por kjo nuk doli të jetë kështu. Katërshja më e fortë e LDK-së në Prizren ishte ndarë në dysh. Haxhi Avdyli e Hatim Baxhaku kishin zgjedhur për ta mbështetur Anton Qunin, ndërsa Haziz Hodaj e Fatmir Memaj ta mbështesnin Driton Selmanajn.

Nga ana tjetër në Anadrini fjalën kryesore pothuajse e kishte Xhavit Ukaj, i cili ka lobuar gjithandej për të ndihmuar fitoren e Anton Qunit, kurse kontribudhënësi i devotshëm, Qemal Krasniqi, kishte zgjedhur që ta mbështeste Driton Selmanajn. Domethënë edhe Anadrinia ishte e ndarë sa i përket preferencave për të parin e LDK-së.

Një ndarje interesante ishte poashtu edhe te grupi që për katër vite ishte cilësuar si grupi më kundërshtues ndaj Haxhi Avdylit. 04 Online ka mësuar nga burime të sigurta brenda LDK-së se Nderim Gashi e Kimete Hoxha kishin preferenca për kandidaturën e Anton Qunit, ndërsa Selajdin Fana e Besim Kokollari për kandidaturën e Driton Selmanajt.

Gjithsesi edhe te drejtorët komunal të LDK-së nuk ishin preferencat e njëjta, pasi Fatmir Memaj e Fejzë Kabashi kishin preferenca për Driton Selmanajn kurse Egzon Elshani për Anton Qunin.

Ju kujtojmë se gara në LDK-në e Prizrenit ka qenë më korrektja deri më tani.

Haxhi Avdyli, çelësi i fitores…

Poashtu, 04 Online ka mësuar nga burime të sigurta brenda LDK-së se Haxhi Avdyli ishte çelësi i fitores së Qunit pasi ai kishte arritur të orientonte gati 20 delegatë për të votuar për Anton Qunin. Madje, besohet se Haxhi Avdyli ka dalë në përkrahje të Anton Qunit pasi është vërejtur se ai është pro kandidaturës së Vjosa Osmanit për Kryetare të LDK-së, dhe kishte dalur kundër Driton Selmanajt pasi ai besohet se ka më shumë afrimitet me Isa Mustafën e Avdullah Hotin.

Nga ana tjetër, 04 Online ka mësuar se Avdyli dhe Quni kanë qenë ndër lobuesit kryesor për fitoren e Ardian Shalës në LDK-në e Suharekës, i cili njihet si mbështetës i Vjosa Osmanit.

Mesazhi i Anton Qunit dhe Driton Selmanajt me shqiponjën dykrenare

Pasi Quni edhe zyrtarisht u shpall Kryetar i LDK-së në Prizren për një mandat katër vjeçar, një simbolikë plotë domethënie ishte krijimi i shqiponjës dykrenare përmes duarve të dy kandidatëve në garë, duke dhënë sinjale të qarta se ata janë për LDK-në e Prizrenit dhe në nivel vendi. Madje, vet Selmanaj përmes një profili në facebook kishte falënderuar mbështetësit, simpatizantët, anëtarët dhe të gjithë kontributdhënësit në LDK për mbështetjen e dhënë gjatë gjithë kësaj kohe, duke thirrur për unitet dhe kontribut në të mirë të partisë.

Përpjekjet e Festim Avdylit për tu bërë Kryetar i LDK-së në Prizren

Ambiciet e të rinjve në LDK-në e Prizrenit në një mënyrë apo në një tjetër janë ngulfatur. “Ende ka kohë për ju“, “Ende jeni të ri“, “Askush ndër 45 vjeç” janë disa nga fjalët që kanë dëgjuar të rinjt e LDK-së, qoftë edhe në përpjekjet me shaka për t’u bërë Kryetar i Degës. Kishte mjaftuar vendosja e Festim Avdylit në një sondazh të organizuar  nga 04 Online, i cili kishte dal fitues ndaj secilit kundërkandidat, pos Anton Qunit. Një debat ‘shterpë’ ishte bërë brenda LDK-së, grupeve të tyre publike e të fshehura. Sikur edhe vet Festim Avdyli ‘pati rënë në kurthet’ e këtyre debateve, duke u tërhequr nga një ambicie normale. Një djalë i ri, ambicioz, i shkolluar, i aftë për të menaxhuar, por jo i kohës, jo i kësaj kohe dhe i njerëzve që janë për momentin brenda LDK-së. Pothuajse çdokush kundër çdo tentative të mundshme të kandidimit të Avdylit, i cili nuk e ka as edhe një lidhje familjare me Haxhi Avdylin, të përbashkët e kanë vetëm mbiemrin. Ndërsa, pro një kandidature të Festim Avdylit ishin një numër fare i vogël brenda LDK-së, të paktën zyrtarisht.

Shpërthimi i Blerton Gutaj dhe Fatlind Elshanit…

Është vërtetë paradoks se si ndodhin disa zhvillime në LDK-në e Prizrenit. Sa të krijohet përshtypja se nuk i duan të rinjt, kur dalin rezultatet është ndryshe. Si duket më të vjetrit e LDK-së duan patjetër ta udhëheqin degën, ndërsa për pozitat tjera nuk ka rëndësi a janë të rinjt apo më të vjetrit. Befasia ka ndodhur pikërisht në votimin për anëtarët e Kryesisë së re, ku Gutaj e Elshani janë në pesëshen më të votuar. Votimi maksimal për këta dy të rinj është një sinjal se transformimi i LDK-së ka filluar, dhe nga tani do t’i jepet hapësirë edhe atyre që janë në moshë më të re. Gjithsesi humbës në këtë relacion është Festim Avdyli, ‘pretendenti’ për ta udhëhequr degën, i cili ka marr pak vota, më saktësisht 27 vota kundrejt Blerton Gutaj me 62 vota dhe Fatlind Elshani me 60 vota.

‘Frika’ e LDK-së ndaj gjinisë femërore

Qe 20 vite LDK-ja në Prizren sikur ka patur ‘frikë’ nga gjinia femërore, duke mos lejuar depërtimin e tyre. Pothuajse në secilin kuvend nuk ka patur më shumë se pesë femra në Kryesi, e pak në menaxhim të pozitave në parti apo në qeverisje lokale. Njëjtë ka ndodhur edhe në këtë kuvend. Janë gjashtë femra përball 24 meshkujve në Kryesinë e re të LDK-së, përkatësisht Sadije Osaj – Jakupi, Mybera Mustafa, Kujtesa Kabashi – Shatri, Kimete Hoxha, Ilirjana Ramadani, Afërdita Morina – Biffar. Kjo është një tregues i keq për LDK-në dhe politikën lokale në Prizren.

Çka pas zgjedhjes së Anton Qunit?

Mendohet se stabilizimi i LDK-së nuk do të jetë i shpejt. Fitorja e ngushtë e Qunit përballë Selmanajt, gjithsesi nuk e bënë komod, andaj do të ketë shumë rëndësi se si do të reflektoj veçanërisht Selmanaj. Kjo pritet të shihet pas Kuvendit Qendror të LDK-së.

Nga ana tjetër, ende nuk dihet nëse Quni do të kërkojë një reformim apo zëvendësim të drejtorëve aktual të LDK-së në Komunën e Prizrenit, edhe kjo pritet të shihet më vonë, më saktësisht pas zgjedhjeve qendrore në LDK-në në nivel vendi.

Për tu përshëndetur…

Si asnjëherë më parë LDK-ja në Prizren ka treguar pjekurinë më të lartë në një garë zgjedhore të brendshme. Me të drejt secili është pozicionuar nga të preferuarit e tyre, por në fund njëzëri kanë uruar Kryetarin e ri, Anton Qunin. Pak ka rëndësi se cili person i apostrofuar me emër brenda këtij shkrimi se kë e kanë mbështetur publikisht apo privatisht, por ka shumë rëndësi që kulturën e treguar në kuvend ta reflektojnë edhe në organizimin dhe zhvillimin e degës. Për këtë garë zgjedhore të gjithë u’a kanë lakmi. Të jeni të gjithë të sigurtë. Siç kanë bashkuar duartë Quni e Selmanaj, është koha e të gjithë anëtarëve, simpatizantëve e mbështetësve të LDK-së ta bëjnë të njëjtën gjë. Është koha juaj ta tregoni veten sa jeni pranë dhe për LDK-në, sepse kandidatët në garë e dhan provimin. Topi është në anën tuaj./04online.info

Asnjë koment

Comments are closed.