Presidenca çeke merr parasysh kërkesën e Francës për vizat
Në prag të diskutimit të dytë të grupit punues për vizat në Këshillin e BE-së, Presidenca çeke ka dërguar një “dokument ndërinstitucional”, në të cilin tashmë është përfshirë edhe kërkesa e Francës e paraqitur në takimin e parë, më 13 tetor.
Franca kërkon që hyrja në fuqi e një vendimi eventual për liberalizimin e vizave për Kosovën, të kushtëzohet me fuqizimin e Sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS)./REL
Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në këtë dokument, i cili është bazë për diskutimet që do të zhvillohen më 9 apo 10 nëntor, në takimin e radhës të grupit punues për vizat të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Propozimi i ndryshuar i Presidencës çeke të Këshillit të BE-së përmban kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me “nisjen efektive të sistemit ETIAS”, si dhe kërkesat ndaj Kosovës që deri në hyrjen në fuqi, të përmbyllë marrëveshje për riatdhesim me ato vende të BE-së me të cilat nuk ka marrëveshje të tilla deri më tash, si dhe ta përshtatë edhe më tej politikën e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian.
“Heqja e vizave do të vlejë vetëm për bartësit e pasaportave biometrike të lëshuara në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), dhe nuk do të zbatohet deri në nisjen efektive të operimit të Sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS)”, është formulimi i ri në draftin e fundit të tekstit të propozimit për vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Sistemi digjital, ETIAS, synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.