26-11-2024

Presidenti kroat nga Tirana i kërkon llogari Serbisë për Banjskën

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, deklaroi sot në Tiranë se Serbia ende nuk ka dhënë përgjigje konkrete për ngjarjet e Banjskës, të cilën i cilësoi si incidentin më serioz deri tani në rajon.

I ftuar nga Presidenti Bajram Begaj, Presidenti kroat Milanoviç po viziton Shqipërinë, ku dënuan ngjarjet e Banjskës më 24 shtator në veri të Kosovës.

Gjatë takimit në Tiranë, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç dhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dënuan sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, si “një sulm kriminal e terrorist”, dhe shprehën shqetësimin mbi përgatitjet dhe armatimin e rëndë ushtarak të përdorura nga grupi terrorist.

Ata theksuan se Bashkimi Europian duhet ta rritë presionin ndaj Serbisë mbi përfundimin e hetimeve dhe nxjerrjen e përgjegjësive për ato ngjarje, që i cilësuan “me ndikim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë e gjithë rajonit”.

Presidenti Milanoviç theksoi se Serbia ende nuk është përgjigjur për ato që ndodhën në Banjskë.

“Ngjarjet në Banjskë paraqesin një incident shumë serioz, ndoshta incidentin më serioz deri më sot. Serbia dhe presidenti Vuçiç na kanë borxh përgjigje konkrete, Kemi fakte dhe dëshmi, dimë për poligonin ku stërviteshin ata njerëz. Vuçiçi nuk është përgjigjur për këtë, dhe duhet të përgjigjet për këtë”, ka deklaruar Milanoviç.

Kosova akuzon Serbinë për organizimin e sulmit ndaj policisë në fshatin Banjskë në veri më 24 shtator, ku u vra një oficer policie kosovar dhe tre nga sulmuesit.

Beogradi zyrtar mohon çfarëdo lidhjeje me grupin e armatosur që kreu sulmin, përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radojçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe, subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i kanë kërkuar Serbisë bashkëpunim të pakusht në hetimin e sulmit.

Presidenti kroat theksoi se Vuçiç duhet të jetë nën presionin e bashkëbiseduesve legjitimë për të dhënë përgjigje mbi ato fakte të qarta, të cilat i shohin të gjithë.

Ai tha se megjithatë sanksionet ndaj Serbisë nuk do të ndikonin, madje mund të shtynin drejtuesit atje, që të vazhdojnë po ato qëndrime dhe veprime.

“Kroacia ka bërë thirrje të përsëritura për njohjen e Kosovës, respektimin e sovranitetit dhe anëtarësimin e saj në NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Njohja e Kosovës është një temë, që duhet trajtuar nga disa vende europiane dhe më gjerë. Kosova është aty, të gjithë e dinë, por pak e përmendin. Vitet kalojnë, thuhen të njëjtat qëndrime, por asgjë nuk ndryshon me njohjen e Kosovës”, tha Presidenti Milanoviç.

Ndërsa Presidenti Begaj theksoi se Bashkimi Europian dhe NATO duhet të dekurajojnë me vendosmëri qasjen provokative të Serbisë ndaj Kosovës.

“Nuk duhet të vazhdojë më situata eskalim për të de-eskaluar. De-eskalimin e situatës në veri të Kosovës duhet ta bëjnë të dyja vendet, për të ruajtur paqen dhe për të garantuar siguri në rajonin tonë. Dialogu është e vetmja rrugë për të arritur normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve dhe për të arritur njohjen finale dhe padyshim respektimin e minoriteteve sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Presidenti i Shqipërisë.

Të dy presidentët pohuan se dialogu është e vetmja rrugë deri në njohjen e tyre e ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës.

Diplomatët perëndimorë janë vënë në përpjekje për të ulur tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë kuadër të dërguarit e posaçëm të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak së bashku me këshilltarët e lartë të udhëheqësve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë pritet të qëndrojnë këtë javë në Kosovë dhe Serbi në përpjekje për të nxitur palët drejt zbatimit marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe aneksi i zbatimit në Ohër në fillim të këtij viti.

Presidenti Begaj theksoi se pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë gjërat nuk janë më si më parë dhe nga ndërmjetësuesit e këtij dialogu duhet të ketë një qasje të re.

“Çdo marrëveshje e nënshkruar në Bruksel, si edhe ajo e dakordësuar së fundmi, dhe anekset e Ohrit, janë të detyrueshme për t’ zbatuar nga të dyja vendet. Dialogu dhe zbatimi i planit europian të paraqitur me anekset në Ohër është zgjidhja për veriun e Kosovës dhe për gjithë marrëdhënien midis Kosovës dhe Serbisë”, tha presidenti i Shqipërisë.

Begaj foli me shqetësim edhe për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, për shkak të pasivimit të adresave të tyre.

Ai theksoi se për shqiptarët e Luginës së Preshevës duhen zbatuar të njëjtat norma europiane, që respektohen për serbët e Kosovës.

Pasivizimi i adresave të shqiptarëve, tha si, sjell çregjistrimin e tyre, ndaj është një procedurë që shkel të drejtat e njeriut, sepse atyre u hiqet bashkë me adresën, edhe e drejta e votimit, dhe shumë të drejta njerëzore, që lidhen me shëndetësinë, arsimin, investimet./Zëri i Amerikës/

Asnjë koment

Comments are closed.