Presidentja Osmani dekreton Ligjin për Pagat në sektorin publik
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Kështu ka bërë të ditur për lajmi.net, këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina.
“Zyra e Presidentes ka pranuar për shpallje, Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, sot, më 4 janar 2023. Pas analizave ligjore nga Zyra e Presidentes, Presidentja Osmani e ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, po sot, më 4 janar 2023”, ka deklaruar Kupina.
Pas dekretimit të presidentes, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, do të publikohet në gazetën zyrtare dhe pas një muaji hyn në fuqi.
Kujtojmë se Ligji për Paga u aprovua në Kuvend në muajin e kaluar, ndonëse pati pakënaqësi nga shumë organizata sindikale. /LN