Presidentja Osmani: Masakra në Rogovë, plagë e pashlyeshme në kujtesën tonë kombëtare
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 26-vjetorin e masakrës në Rogovë të Hasit, ku forcat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit kryen një ofensivë brutale në fshatrat Rogovë, Goden dhe Bishtazhin të Gjakovës.
“Në këtë masakër, më 27, 28 dhe 29 janar 1999, u vranë në mënyrë mizore 9 civilë të pafajshëm, ndërsa 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë heroikisht”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
“Kjo masakër mbetet një plagë e pashlyeshme në kujtesën tonë kombëtare dhe një dëshmi e dhunës së pamëshirshme ndaj popullit tonë. Sot dhe përherë, do t’i nderojmë dëshmorët e UÇK-së dhe martirët, duke ruajtur kujtimin për ta, si simbol të qëndresës dhe sakrificës për liri”, ka theksuar Osmani.
Në këtë përvjetor, ajo ka nënvizuar rëndësinë e kujtimit të kësaj ngjarjeje tragjike, si një dëshmi të luftës për liri dhe drejtësi, që e çoi popullin e Kosovës drejt çlirimit.