Prevalla përballet me ndërprerje të shpeshta të rrymës, kjo bën që t’i ikin turistët
Me reduktime të energjisë elektrike po përballen pronarët e bujtinave dhe turistët në fshatin turistik të Prevallës.
Për qytetarët që zgjedhin këtë fshat si vend për t’u larguar nga qyteti, ndërprerjet e energjisë elektrike paraqesin problem të madh, sidomos për akomodimin e tyre nëpër bujtina, raporton KTV.
Sipas stafit të bujtinave në fshatin turistik të Prevallës, ndalja e rrymës elektrike këtu, ka bërë që shumë turistë të kthehen mbrapa.
Derisa problem kryesor mbetet lidhja e dobët e kabllove elektrike në këtë zonë dhe investimi i vogël për ta përmirësuar gjendjen.
Se rryma po u shkakton telashe bizneseve të Prevallës, e thotë edhe Ibrahim Sallauka.
Sipas tij, kjo është koha e vetme kur ata si pronarë të bujtinave mund të nxjerrin fitime për shkak të fluksit të madh të turistëve, derisa telashet e tilla po ua vështirësojnë atyre punën.
Ai thotë se ky problem ka nisur prej dhjetorit të vitit të kaluar, ndërsa edhe përkundër rregullimit të problemit nga KEDS-i, ata përsëri po përballen me reduktime.
E zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, përmes një përgjigjeje me shkrim i ka thënë KTV-së se ndërprerja e energjisë ka qenë e domosdoshme, për shkak të intervenimeve në rrjet dhe përmirësimit të tij.
Ai ka shtuar se nuk ka pasur ndalesa të tjera dhe nuk pritet të ketë si shkak i instalimit të rrjetit të ri.