Prevallë: Nxirret trupi i vdekur i 24 vjeçarit amerikan që vdiq në vetaksident
Një incident fatal ka ndodhur sot në Bjeshkët e Prevallës, ku një shtetas amerikan (turist) ka humbur jetën pas një vetëaksidenti me motoçikletë katër-rrotëshe
Shaqir Bytyqi, zëdhënës i policisë për rajonin e Prizrenit, konfirmoi për Gazetën e Prizrenit se rreth orës 21:00 është arritur të nxirret trupi i pajetë i viktimës, mashkull 24 vjeçar, shtetas i ShBA-s.
Sipas informacipneve, turisti derisa ishte duke drejtuar një motoçikletë me katër rrota (ATV), në një moment ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është rrokullisur jashtë rrugës.

Në vendngjarje, në mënyrë të koordinuar dhe me angazhim të përbashkët, kanë marrë pjesë dhe kanë ofruar ndihmë njësi të ndryshme policore, përfshirë komandantin e Stacionit Policor në Prizren dhe Njësinë Rajonale të Trafikut. Gjithashtu, në operacion kanë kontribuar zjarrfikësit, ekipet e emergjencës mjekësore, si dhe vullnetarë – motoristë me ATV, të cilët kanë ndihmuar në mënyrë aktive në nxjerrjen e trupit.

Në konsultim me prokurorin, do të ndërmerren veprimet e tjera hetimore, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
