Prim. Dr. Daut Mustafa konsiderohet një nga mjekët e parë dhe themeluesit e mjekësisë moderne në Kosovë. Me një karrierë të jashtëzakonshme që përfshin dekada punë në shërbim të shëndetit publik, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e mjekësisë kosovare dhe në Prizren, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Jo shumë larg, në kohën kur TBC bënte kërdinë dhe frika kaplonte çdo shtëpi, emri i Dr. Daut Mustafës jehonte si shpresë dhe shpëtim për banorët e Prizrenit dhe rajonit.
Dr. Mustafa lindi në Prishtinë në vitin 1918. Pas përfundimit të shkollës fillore dhe të mesme në vendlindje, në vitin 1937 ai u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd, ndërsa studimet i përfundoi në Zagreb, ku diplomoi në shkurt të vitit 1943.
Pas diplomimit, u inkuadrua si mjek sekondar në Spitalin e Prishtinës më 12 prill 1943, për të vazhduar më pas punën në terren në fushën e sanitetit, veçanërisht gjatë vitit 1945. Në vitin 1946, ai dërgohet në Repartin Kraharor të Spitalit Shtetëror në Beograd, ku specializohet në Ftiziologji. Pas kthimit në Kosovë, fillimisht punon në Pejë dhe më pas vendoset në Prizren, ku shërbeu për pjesën më të madhe të jetës së tij.
Në Prizren, Dr. Mustafa organizoi dhe udhëhoqi dispanserin antituberkuloz me stacionar, duke u bërë figurë kyçe në luftën kundër TBC-së në Kosovë. Nga viti 1946 deri më 1962, ai shpesh ishte i vetmi mjek i këtij profili në shumë qytete të Kosovës si Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Pejë, Mitrovicë, e deri në Prishtinë.
Nga viti 1968 deri në vitin 1976, Dr. Mustafa shërbeu si drejtor i Qendrës Medicinale në Prizren, ndërsa më 1 shtator 1985 doli në pension. Megjithatë, ai vazhdoi të kontribuojë edhe pas pensionimit deri më 1 shkurt 1991, duke punuar me orar të shkurtuar për shkak të nevojës së vazhdueshme për ekspertizën e tij.
Foto: Spitali rajonal i Prizrenit
Në vitin 1971, Dr. Mustafa zgjidhet ligjërues i lartë dhe shef i Katedrës së Pneumoftiziologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ku shërbeu deri në vitin 1987. Ai është autor i një sërë materialesh mësimore dhe studimeve në fushën e sëmundjeve të mushkërive.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, ai u nderua me titullin “Primarius” nga Komisioni Federativ më 1966. Në vitin 2005, me iniciativën e qytetarëve, Spitali Rajonal i Prizrenit mori emrin e tij: “Prim. Dr. Daut Mustafa”, një vlerësim i veçantë dhe i merituar për figurën e tij.
Dr. Daut Mustafa ndërroi jetë në tetor të vitit 2009, në moshën 91-vjeçare, në qytetin e Prizrenit, ku kishte jetuar dhe punuar për dekada me përkushtim të madh.
Trashëgimia e tij vazhdon të jetojë në kujtesën e gjeneratave dhe në institucionet të cilat i ndihmoi të ndërtohen me përkushtim dhe profesionalizëm. / Gazeta e Prizrenit /